Provoi fatin në lojërat që jo gjithmonë sjellin fat. Rrezikoi të luante me para të pazarit ditor të pikës së bastit sportive. Filloi bastin me një shumë prej 700 eurosh. Humbja shkoi duke u rritur deri në 10 mijë euro, në mënyrë elektronike, pikërisht në pikën e bastit ku punonte. Pas tërë këtij rrisku mbi supe, fati nuk doli të jetë në anën e tij. Kur e kuptoi se humbi paratë, gjilanasi doli nga vendi i punës, duke menduar më të keqen për veten e tij.
Për dy ditë familjarët nuk dinin asgjë për vendndodhjen e tij, derisa u gjet të premten pa vetëdije në qytetin e Ferizajt. Shumë nga banorët e qytetit të vogël të Gjilanit kishin dëgjuar për ngjarjen, megjithatë të gjithë e përshkruanin si djalë të mirë e punëtor. Mendimin e njëjtë e ka edhe ish-shefi i tij, pasi ai tanimë ka ndërprerë punën në pikën e bastit ku punoi për rreth 3 vjet. Pronari i pikës së bastit G.T, ende nuk është takuar me punëtorin, i cili, përveç 10 mijë eurove, thotë se ia ka borxh edhe afër 3 mijë euro të tjera për një rast pak a shumë të ngjashëm si ky. G.T., nuk e ka takuar ende punëtorin që ia humbi 10 mijë euro, thotë se për të fillimisht është e rëndësishme gjendja e tij.
“Kurrkush nuk i ka bo presion, për neve u kan me rendësi që ai mu gjetë dhe u kan një ndër punëtorët më të mirë. Shumë është djalë i mirë”, thotë G.T., për Gazetën Express.
Policia kishte deklaruar se viktima, pasi i ka humbur paratë, nga depresioni ishte larguar nga shtëpia. Familjarët e kishin raportuar si të zhdukur në polici, ndërsa të premten ishte gjetur pa vetëdije në Ferizaj. Më pas i ishte ofruar edhe ndihma mjekësore.
Edhe G.T. thotë se ka dëgjuar se gjendja e ish-punëtorit të tij është e mirë, ndërsa ende nuk e ka takuar për të biseduar lidhur me rastin pasi thotë se nuk dëshiron t’i bëjë presion. “Nuk e ka thirr më kerkush nuk i ka bo presion sa i përket anës tonë se kena taku hala. Edhe pak nuk do të takohemi”, thotë G.T.
Sidoqoftë, viktima ka deklaruar se pasi kishte luajtur dhe humbur në lojëra të fatit shumën prej 10.000 (dhjetëmijë) €, nga depresioni ishte larguar nga shtëpia. express