Një 14-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës, duke varur veten me litar në banesën e tij. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës, rreth orës 16:00, në fshatin Akërmi të njësisë administrative Novoselë. Në një moment kur prindërit e të miturit nuk ndodheshin në shtëpi, 14-vjeçari me inicialet A.M. është mbyllur në dhomën e tij dhe me një litar është vetëvarur. Pak momente pas këtij veprimi, që do ta çonte drejt mbytjes, në banesë ka hyri daja i tij, i cili e ka gjetur djalin në gjendje të pavetëdijshme. Menjëherë, ai i ka hequr litarin nga fyti dhe me ndihmën e prindërve të tij e ka transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Pas dhënies së ndihmës së shpejtë, 14- vjeçari ka arritur të dalë nga gjendja kritike dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa mësohet se vetëm gjatë ditës së hënë, i mituri ka arritur të jetë në gjendje të flasë, edhe pse ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, pas aktit të rëndë për t’i dhënë fund jetës. Policia e Vlorës ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar të miturin drejt tentativë për t’i dhënë fund jetës. Sipas burimeve nga Policia, edhe pse kjo e fundit ka tentuar ta mbajë të fshehtë ngjarjen, në xhepin e pantallonave të 14-vjeçarit është gjetur një letër, ku dyshohet se ai u përket sekteve fetare. Dyshohet se ka qenë pikërisht përmbajtja e fletëpalosjes që mund të ketë ndikuar te djali i mitur, që më pas të marrë vendimin për t’i dhënë fund jetës. Ndërkohë, nga ana tjetër, familjarët e tij nuk kanë preferuar ta bëjnë publike një fakt të tillë, madje nuk kanë dashur që të komentojnë aspak gjithçka që ka ndodhur me djalin e tyre, në mënyrë që e gjitha kjo të mos rëndojë më shumë mbi gjendje e 14-vjeçarit.
Burimi: Panorama