Shoqata e Hidrokarbureve: Vendosja e tarifës për rezervat do të reflektohet në çmimin e karburanteve

Diel, 24 February 2019 18:46

Vendosja e çdo takse apo tarife mbi karburantet është reflektuar gjithmonë në çmimin final me të cilin konsumatorët blejnë produktin. Propozimi i fundit për vendosjen e një tarife të re duket se do të ndjekë të njëjtën rrugë. Përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve në vend thanë për “Monitor” se, nëse ministria parashikon një tarifë të re për krijimin e rezervës, menaxhimin e saj dhe një agjenci të re, sigurisht që çdo kosto shtesë do të transmetohet në çmimin e karburantit.

“Deri më sot, nga krijimi i sektorit, kompanitë kanë mbajtur atë që njihet si rezervë sigurie. Ishte fillimisht 30 ditë mesatare shitjeje dhe më pas u bë 90 ditë. Çdo fillim viti, Ministria e Energjisë, në bazë të shitjes që ka pasur kompania një vit më parë, i çon kuotën sa duhet të jetë rezerva e sigurisë. Kjo rezervë njihej në sasitë që ndodheshin në pikat e karburantit, sasinë në depozitë bregdetare dhe sasinë në udhëtim. Vetvetiu një kompani serioze është e detyruar që ta mbajë këtë sasi, sepse në të kundërt del nga tregu. Rezervat janë mbajtur për shkak të ligjit ekzistues.

Me evoluimin e tregjeve ndërkombëtare, kompanitë serioze janë integruar në këto tregje dhe kanë krijuar partneritet me kompani të mëdha furnizimi të cilët mbajnë rezerva në depozitat e tyre për palën shqiptare. Pra nëse në një ditë, sipas Bursës së Londrës, së cilës i referohemi ne për blerje, ka një çmim të leverdishëm, ne bëjmë rezervimin e një sasie të konsiderueshme. Pra rezerva ekziston. Nëse shteti do të krijojë një agjenci që të mbajë rezervat nuk ka asgjë të keqe, por me kushtin që të mos shtohet ndonjë taksë tjetër mbi karburantin. Nëse kjo ndodh, atëherë është rritje kostoje dhe do të sjellë edhe rritje çmimi.

Nëse me mënyrën që operohet sot ka kosto zero dhe ti shton një detyrim ekstra, sigurisht që është kosto. Ne kemi qenë të detyruar të mbajmë rezervën sipas ligjit, sepse ka edhe sanksione. Ligji aktual parashikon që, nëse vjen për inspektim shteti dhe nuk më gjen pjesën e rezervës, gjoba është sa 50% të vlerës së gjithë rezervës që duhet të mbahet nga kompania.

Ende nuk janë dhënë shumë specifika për mënyrën sesi do ta mbajë shteti këtë rezervë, por shtete që e kanë mbajtur vetë këtë rezervë, kanë krijuar humbje për shkak se nafta kuotohet në bursë dhe lëvizjet vjetore minimum / maksimum shkojnë deri në 500-600 dollarë për ton. Plus që duhet të kemi parasysh që ka ca afate për mbajtjen e naftës, nëse ajo mbahet më shumë se 4 vjet, bëhet e papërdorshme. Kompanitë që kanë treg e qarkullojnë, por agjencia ende mbetet e paqartë si do ta qarkullojë.

Plus që për 300 mijë tonë depozita do të duhet të investohet një vlerë 40 milionë euro, të cilat duhet t’i ketë agjencia me logjikë ose do të nënkontraktohet si shërbim që sërish ka kosto”, – sqaron Shoqata Shqiptare e Hidrokarbureve. Nga ana tjetër, kjo shoqatë nënvizon se tendenca e qeverisë për të dhënë çdo shërbim që lidhet me këtë sektor me koncesion që ka bërë që taksat direkte dhe indirekte të rriten shpesh, po shkon në të kundërt këtë herë. Pra po shtojmë shërbime tek sektori publik, por edhe këto, me një kosto. Në fund, pothuajse çdo nismë në sektorin hidrokarbur është shoqëruar me një faturë të majme që e paguajnë qytetarët.

Ministria: Nuk do të ketë rritje të kostos, kompanitë 15% më pak

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të shoqërive hidrokarbure se projektligji për rezervën e sigurisë sjell kosto që mund të reflektohen në çmim. Në argumentin e saj ministria ka theksuar se kostot për këto shoqëri në fakt do të ulen me të paktën 15%. “Ligji ‘Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj’, është një detyrim i padiskutueshëm i Qeverisë Shqiptare pasi është: Pjesë e kapitullit të 15 të paketës së MSA (Marrëveshja e Stabilizim Asocimit); pjesë matricës së masave të buta të procesit të Berlinit; pjesë e paketës së tretë të energjisë.

Në ligjin ekzistues të rezervave të sigurisë, parashikohet që bizneset në disa forma duhet të kenë 90 ditë tregu rezervë sigurie.
Me çmimet e sotme të tregut, kjo rezervë sigurie është e përfshirë në kostot e tregtarëve, duke zënë minimumi 25% të kostove të produktit të blerë nga ana e tyre.

Ajo që propozohet në ligjin e ri është që kjo kosto të ulet, sepse në totalin e rezervës së sigurisë në nivel kombëtar mund të përfshihet edhe nafta bruto, deri në 50% të rezervës. Kjo do të thotë që kostot aktuale do të ulen me mbi tre herë për këtë pjesë (50% të sasisë aktuale).
Mënyra e operimit, e parashikuar në projektligj, duke qenë se përfshin naftën bruto, kostoja e së cilës është më shumë se 3 herë më e ulët, ul kostot e përgjithshme të bizneseve në sektorin e hidrokarbureve, subjekt i këtij ligji me më shumë se 15%”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Pse deklarata e ministrisë nuk justifikon dot që kostot do të ulen

Ulja e kostove për shoqëritë hidrokarbure me logjikë duhet të shoqërohet me ulje të çmimit të naftës. Por nëse kjo është e vërtetë atëherë nuk do të kishte nevojë për një tarifë shtesë tek nafta që sërish do të paguhet nga shoqëritë e rafineritë të cilat do ta transmetojnë atë tek çmimi i konsumatorit fundor. E kundërta në fakt është e vërtetë. Shoqëritë deri më tani kanë njohur si rezerva anijet në det, gjendjen në pikat e karburanteve, cisternat. Me ligjin e ri, këto nuk do të njihen. Pra 30 ditë mesatare shitjeje duhet të jenë në depozita, përveç sasisë që kompanitë kanë zakonisht për aktivitetin e tyre të tregtimit. E njëjta gjë vlen dhe për rafineritë. Kjo automatikisht shton një detyrim të ri.

Nëse kushti i rezervës së sigurisë do të ishte përmbushur deri më sot, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë nuk do të kishte nevojë që të nënvizonte në çdo raport të tij monitorues për avancimin e reformave sipas Procesit të Berlinit, se Shqipëria ende nuk ka krijuar rezervën e sigurisë së naftës për një periudhë 90-ditore. Nga ana tjetër kemi krijimin e një agjencie që do të ushtrojë aktivitetin e saj mbi të ardhurat që do të merren nga subjektet përmes taksimit të çdo litri nafte apo benzine. Kjo sigurisht do të thotë një kosto ekstra që deri më sot nuk ka ekzistuar gjithashtu.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë “i tërheq” veshin Shqipërisë

Prej disa vitesh tashmë, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë harton raporte të zgjeruara për vendet e Ballkanit Perëndimor duke ndjekur nga afër ecurinë e tyre në zbatimin e detyrave që kanë lindur nga Procesi i Berlinit. Ka pasur një theks të vazhdueshëm për sektorë të tillë si nafta, gazi, energjia elektrike duke parë përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin praktik të reformave. Zëri i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë është një nga më të rëndësishmit në Komisionin Europian dhe në raportet që hartohen në lidhje me ecurinë e vendeve drejt procesit të integrimit, jo pa qëllim ka kapituj të veçantë që ndalen edhe në këtë aspekt.

Kështu në raportin e fundit që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë publikoi lidhur me zbatimin vjetor, ndër të tjera preket edhe pjesa e naftës dhe pikërisht ajo për rezervën e sigurisë. Lidhur me këtë sektor, Sekretariati nënvizon se “zbatimi në sektorin e naftës është i avancuar në mënyrë të moderuar” me vetëm 53% të përmbushjes së detyrimeve.

Vlerësimin e tij raporti e ndan në katër pjesë. Mbajtja e rezervës së sigurisë: Referuar legjislacionit aktual, rafineritë e naftës dhe kompanitë e shitjes me shumicë janë të detyruara të mbajnë një stok minimal prej 90 ditësh mesatare shitjeje. Gjithsesi sistemi aktual nuk është në përputhje me direktivën 2009/119/EC. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar ligjin për rezervën e sigurisë në 2016 dhe synon ta finalizoje deri në fund të 2018.

Në fakt, kjo duket se kaloi edhe limitet e parashikuara nga sekretariati. Në një pikë të dytë të vlerësimit gjendja dhe aksesi, theksohet se draft ligji i ri përcakton mbajtjen e rezervave të detyrueshme si prioritet dhe këto rezerva të detyrueshme duhet të jenë të disponueshme fizikisht gjatë gjithë kohës.

Pika e tretë e lidhur po me rezervat e sigurisë në raportin e Sekretariatit lidhet me raportimin. Ajo thekson se agjencia e dedikuar për rezervat do të mbajë të dhëna të vazhdueshme për stokun e detyrueshëm të saj, të palëve të përfshira, si dhe marrëveshjet për palë të treta. E katërta në analizë është marrë procedura e emergjencës e zbatuar në 60% të detyrimit total. Sekretariati nënvizon se draft ligji parashikon që ndërhyrja në treg do bëhet kur të ketë ndërprerje furnizimi. Kjo ndërhyrje vendoset nga qeveria me propozim të ministrit përgjegjës për Energjinë dhe miratohet nga komiteti i menaxhimit të krizave i qeverisë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tentoi të hidhej në lumin Buna me 4 fëmijët e mitur, Policia ndalon 27-vjeçaren

Kronikë

Tentoi të hidhej në lumin Buna me 4 fëmijët e mitur, Policia ndalon 27-vjeçaren

  Ndërhyrja e Policisë në  Shkodër parandaloi një ngjarje të rëndë. Tentoi të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj të mitur, falë ndërhyrjes së shpejtë nga patrulla e...

U martuan pak kohë më parë/ Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e çiftit të lesbikeve që kërkuan regjistrimin e dy fëmijëve me të drejta mëmësie të barabartë

Politikë

U martuan pak kohë më parë/ Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e çiftit të lesbikeve që kërkuan regjistrimin e dy fëmijëve me të drejta mëmësie të barabartë

    Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, çifti i lesbikeve që u martua pak kohë më parë në Bashkinë e Tiranës.   Ato kërkuan që t’i regjistronin...

Dha informacion të qeverisë amerikane, ish-punonjësja e CIA akuzohet se ka punuar si agjente e Koresë së Jugut

Globi

Dha informacion të qeverisë amerikane, ish-punonjësja e CIA akuzohet se ka punuar si agjente e Koresë së Jugut

    Një specialiste e politikës së jashtme, e cila dikur punonte për CIA-n dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, përballet me akuza se ka punuar si agjente e...