Mbarimi i projektit TAP po e nxjerr zbuluar ekonominë vendase. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat nga TVSH e brendshme, një tregues direkt i konsumit në ekonomi, kanë rënë me 48%, rënia më e thellë të paktën në dekadën e fundit.
Financat sqaruan zyrtarisht se efekti kryesor ka ardhur nga fakti që gazsjellësi TAP është drejt fundit dhe kompanitë nënkontraktore të TAP, që janë kryesisht të huaja, nuk kanë më aktivitet. “Ecuria e TVSH për 9-mujorin nuk ka qenë në nivelet e duhura, por kjo jo si pasojë e informalitetit. Janë tregues të gazsjellësit TAP, i cili nuk ka pasur ndikim në këtë vit sa ka pasur vitet e mëparshme.
Ndërkohë që është edhe ndikimi i energjisë elektrike që vitin e shkuar ka pasur një kontribut të lartë në rritjen ekonomike por jo këtë vit. Ecuria e TAP gjithashtu ka qenë e lidhur ngushtë edhe me nënkontraktorët, kryesisht ndërtimin dhe normalisht do reflektohet edhe më gjerë”, pohoi pak ditë më parë drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në shtator u mblodhën vetëm 1.85 miliardë euro nga TVSH e brendshme, nga 3.6 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për periudhën janar- shtator, të ardhurat ranë me gati 22%, performanca më e keqe në vite.
Kjo tendencë tregon se sa e dobët është ekonomia vendase, teksa është e varur kaq shumë nga vetëm një projekt. TAP është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në ekonominë shqiptare, me një vlerë prej 1.5 miliardë euro, sipas të dhënave zyrtare, por me futjen e tij në tokë, efekti mbaron (Shqipëria nuk ka infrastrukturë për të përdorur gazin, të paktën në afatin e mesëm).
Efekt tjetër në rënien e të ardhurave të TVSH-së ka dhënë ulja e prodhimit të energjisë dhe mbyllja e aktivitetit të lojërave të fatit.
Të ardhurat për 9-mujorin ndihmohen nga amnistia e dividendit dhe lejet e ndërtimit, buxhetit i mungojnë 65 mln euro
Të ardhurat në total për periudhën janar-shtator arritën në 343 miliardë lekë, me një rritje prej 4.2% me bazë vjetore. Në krahasim me planin, buxhetit i mungojnë rreth 8 miliardë lekë, ose rreth 65 milionë euro
Të ardhurat totale nga TVSH-ja, që është zëri kryesor në buxhet që sjell mbi 30% të të hyrave në total, ranë me 4.4%, të ndikuara nga performanca e dobët e TVSH-së së brendshme.
Në rënie të fortë me 8.6% ishin dhe të ardhurat nga taksa nacionale, si rrjedhojë e ecurisë së dobët të mineraleve.
Të ardhurat nga tatimfitimi u rritën me 11.5%, ndërsa ato nga akciza me 4.7%.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore ishin pozitive, me plus 5.5%.
Rritjen më të fortë e shënoi tatimi mbi të ardhurat personale, me 33%, i ndikuar nga ulja e tatimit mbi dividend nga 15% në 8%, me efekt prapaveprues dhe për vitet e mëparshme, çka bëri që bizneset të nxitonin të shpërndanin fitimet deri në shtator, kur ishte dhe afati i fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, të ardhurat nga dividendi në janar-shtator të këtij viti ishin rreth 11 miliardë lekë (90 milionë euro), me trefishim në raport me vitin e mëparshëm.
Në rritje të fortë ishin dhe taksat lokale, me 31%, ku efektin kryesor e kanë dhënë arkëtimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, si rrjedhojë e lejeve të ndërtimit të dhëna kryesisht në Tiranë.
Duke përjashtuar efektin e dividendit dhe taksave lokale, rritja e të ardhurave është pothuajse zero.