Vendi drejt krizës së thellë, rritja ekonomike më e ulët në 4 vite

Saturday, 01 February 2020 09:29

Rritja ekonomike në vitin 2019 pritet të jetë vetëm 2.7%, nga rreth 4.3% që ishte pritshmëria në fillim të vitit, sipas Kuadrit të ri Makro Ekonomik dhe Fiskal 2020-2023 të publikuar sot në Fletoren Zyrtare. Ky është niveli më i ulëti që nga viti 2015, kur rritja rezultoi në nivelin e 2.2%.
Në një intervistë të mëparshme për Monitor, Ministrja e Financave, znj. Anila Denaj pohoi se ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur me 2.7% në vitin 2019, duke shtuar se ngadalësimi i ekonomisë lidhet me faktorë që ndodhin një herë, si rënia e prodhimit të energjisë, mbyllja e lojërave të fatit, apo tërmeti që goditi vendin në fund të nëntorit.

“Në vitin 2019, rritja ekonomike u rishikua, kjo është artikuluar disa herë në disa nga daljet e mëparshme publike dhe e lidhur kryesisht me disa faktorë të ndodhur një herë, si ai i energjisë apo i mbylljes së lojërave të fatit, që çuan në tkurrjen e ekonomisë në vitin 2019”, tha ajo.

Sipas tabelave të publikuara në kuadrin e ri makro, vendi ka shënuar përkeqësim dhe në drejtim të mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Ato vlerësohen në 27.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 27.7-27.7% e PBB-së që janë mbledhur në vitet e mëparshme.

Borxhi publik pritet me rënie, në 66.2% të PBB-së, nga 67.9% në 2018-n dhe parashikimet janë që të ulet poshtë nivelit të 60% deri në vitin 2023.

Financat janë optimiste në të ardhmen. “Ekonomia pritet të vazhdojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet të vijojë të qëndrojë në nivelin prej 4% gjatë tre vjetëve tjerë, 2021–2023”, thuhet në raport.

Gjatë periudhës afatmesme, rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Ndërkohë, kërkesa e huaj neto (eksport-import) pritet të sjellë, gjithashtu, një efekt pozitiv, por margjinal.

Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit pritet të transmetohen në një rritje graduale të pagave, të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredimarrjeje më të lartë.

Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet nga përmirësimi i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar.

Ndërsa, rritja graduale e investimeve pritet të nxitet nga shfrytëzimi më i intensifikuari kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, i vërejtur së fundmi, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik, gjatë periudhës së parashikuar, dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë.

Njëkohësisht, edhe vijimësia e përmirësimit të kushteve financiare dhe i lehtësimit të standardeve të huadhënies pritet të jetë një faktor i rëndësishëm incentivues i investimeve private në afatin e mesëm.

Modifikuar më Saturday, 01 February 2020 09:32
Login to post comments

Lajmet e fundit

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...

Dosja ‘5D’/ Zef Preçi: Skemë e ngjashme me inceneratorët, djajtë kanë dalë nga shishja

Politikë

Dosja ‘5D’/ Zef Preçi: Skemë e ngjashme me inceneratorët, djajtë kanë dalë nga shishja

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e konsideroi si një skemë të ngjashme me atë të inceneratorëve, atë të krijuar nga drejtorët e Erion Veliajt me kompaninë ‘5D’. Për emisionin “Task Force”...