Shifrat e bëjnë SHBA-në kontribuuesen më të madhe në Ukrainë, sa u përket parave të shpenzuara. Por, 18 muaj pas nisjes së pushtimit rus, disa amerikanë dyshojnë se ndihma ia vlen koston. Javën e kaluar, tetë republikanët që garojnë për nominimin e partisë së tyre për kandidat presidencial, u përplasën rëndë në lidhje me çështjen. Mes tyre kishte nga ata që thanë se, nëse do t’i fitonin zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndihmën e SHBA-së për Ukrainën do ta kushtëzonin me rritje të ndihmës nga Evropa. “Evropa duhet të ngrihet. Unë do të bëj që Evropa të ngrihet dhe ta bëjë punën e saj”, tha Ron DeSantis, guvernator i Floridës. Pas SHBA-së, institucionet e Bashkimit Evropian janë donatoret më të mëdha në Ukrainë. Ato ndiqen nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Kanadaja, Polonia, Franca e kështu me radhë.
Kandidati Donald Trump, të cilin sondazhet e opinionit e nxjerrin në epërsi, nuk mori pjesë në debat, por në një intervistë të publikuar në platformën X, tha se Rusia nuk do ta pushtonte kurrë Ukrainën, sikur ai të ishte president. Trump, i cili ka shërbyer si president i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021, nuk solli ndonjë provë për këto pretendime. Në bazë të një sondazhi që ka publikuar rrjeti televiziv, CNN, muajin e kaluar, 45 për qind e amerikanëve e mbështesin mënyrën sesi presidenti aktual, Joe Biden, i cili do të garojë për rizgjedhje, e ka trajtuar situatën në Ukrainë.
Ben Hodges, ish-komandant i ushtrisë amerikane në Evropë, thotë se Biden duhet të përpiqet më shumë për t’iu shpjeguar qytetarëve të tij se përse “suksesi në Ukrainë është në interes të Amerikës dhe aleatëve të saj”. “Përndryshe, mbështetja e fortë dypartiake [për Ukrainën] mund të fillojë të zbehet vitin e ardhshëm”, thotë ai.
Zyrtarët rusë, vazhdimisht, kanë kritikuar ndihmën ushtarake të Perëndimit, duke thënë se ajo e bën atë pjesëmarrës në konfliktin në Ukrainë. Mark Cancian, kolonel i pensionuar i marinës amerikane, thotë se “pa pjesëmarrjen e SHBA-së, mbështetja globale për Ukrainën do të fundosej. E, pa ndihmën e jashtme, Ukraina nuk do të ishte në gjendje ta vazhdonte luftën”. Sipas tij, tërheqja e mundshme e ndihmës ka gjasa të shoqërohet edhe me kërkesën për zgjidhje të negociuar të konfliktit. “Kjo nënkupton një armëpushim, i cili do t’i jepte Rusisë fitore të pjesshme”, thotë Cancian.
Aleatët perëndimorë vazhdimisht zotohen se do ta ndihmojnë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”, por shpesh nuk specifikojnë se sa duhet për të bërë çfarë?! Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se “për aq kohë sa duhet”, nënkupton mbështetje për qëllimet e vendosura nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe populli ukrainas, e ato përfshijnë: rikthimin e territoreve të pushtuara nga Rusia – mes tyre edhe Krimenë – dhe dëbimin e forcave ruse nga toka e Ukrainës.
Për gjeneralin Hodges, fraza “për aq kohë sa duhet” është “boshe”. Sipas tij, atë e përdorin shumë udhëheqës për ta shmangur atë që duhet thënë, se “ne duam që Ukraina të fitojë”. “Ne nuk mund ta dimë se çfarë do të ndodhte nëse Putini do të mbizotëronte në Ukrainë, por barbaria që ai ka përdorur tashmë, është një tregues i vlefshëm”, ka shkruar Washington Post në një opinion të vetin, të publikuar në korrik. “…Perëndimi duhet t’i sigurojë armët që i duhen Ukrainës për të mbijetuar… Është detyrim i botës së qytetëruar që të ndalojë një tjetër tmerr”, sipas gazetës amerikane.

