3 mln euro për Zoto-Mërtirin/ Baftjari i Fierit: Tenderin ia dha Salarjoni (i Elisës)

Saturday, 22 June 2024 13:00
 

Nga Boldnews.al

 

Në mes të nëntorit 2023, ish-kryebashkiaku i Fierit dhe aktualisht deputeti i Partisë Socialiste, Baftjar Zeqaj, doli nga ambjentet e SPAK-ut dhe deklaroi se ishte thirrur për t’u pyetur mbi procedurën tenderuese me vlerë mbi 3 milionë euro, të zhvilluar disa vite më parë nga Ujësjellësi i qytetit për blerjen e matësave, të fituar nga shoqëria “Teo-Alb”, e cila përfaqësonte interesat e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtiri.

Pas këtij intervistimi, Zeqaj deklaroi para mediave se ai nuk kishte lidhje me atë procedurë dhe se veprimet janë bërë nga Bordi, i cili zgjidhej në një mënyrë të parashikuar nga qeveria “Berisha”.

Kaq mjaftoi që mediat pranë qeverisë të aludonin se tenderi 3 milionë euro për Zoto-Mërtirin t’i atashohej qeverisë së djathtë.

Por, deklaratat e plota të Baftjar Zeqaj, të dhëna para prokurorëve, zbulojnë një realitet tërësisht të ndryshëm. Tenderi është realizuar nga drejtori i Ujësjellësit të Fierit në atë kohë, Salarjon Totaj, bashkëshorti i Elisa Spiropalit, ministres aktuale të Shtetit dhe krahut të djathtë të kryeministrit Edi Rama.

Në foto: Salarjon Totaj dhe bashkëshortja e tij, Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali

Madje, Baftjar Zeqaj ka bërë përgjegjës Salarjonin për këtë procedurë ‘emergjente”, e cila dëmtonte projekte të tjera që kishte Bashkia e Fierit në atë kohë në zhvillim, me mbështetjen e Bankës Gjermane, KFV.

Unë kam qenë shumë i tronditur në periudhën 2012-2013, kur mësova që Bordi i Ujësjellësit do të merrte një kredi (5 milionë euro) për sahatet…”, deklaroi ligjvënësi Zeqaj para prokurorëve të SPAK-ut, në deklarimet e tij të dhëna në 13 nëntor 2023.

Si u përfshi Zeqaj tek “inceneratorët”

Hetimet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion mbi përfshirjen e ish.zv.kryeministrit Arben Ahmetaj në aferën e inceneratorëve, zbuluan, ndër të tjera, një komunikim me mesazhe telefonike ndërmjet tij dhe ish-kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj.

Në ato komunikime, që datojnë në 13 shtator 2012 sipas SPAK-ut, Arben Ahmetaj kërkonte nga Baftjari që të zhvillonte një takim me “një mikun e tij”, duke iu referuar Mirel (Klodian) Mërtirit. Ish-kreu i Bashkisë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ahmetajt, por para prokurorëve ai mohon ose, të paktën nuk i kujtohet nëse është zhvilluar një takim i tillë.

Në foto: Deputeti socialist, ish-kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, pas deklarimeve në SPAK

Bisedat telefonike të asaj kohe përkojnë me interesin e shoqërisë “Teo Alb” për të siguruar tenderin për pajisjen e abonentëve të Ujësjellësit të Fierit me matësa të rinj. Të dhënat e siguruara nga SPAK-u tregojnë se kompania “Teo-Alb” fshihte interesat e Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos.

Baftjari “zhyt” Salarjonin

Boldnews.al” ka siguruar pjesë nga deklarimi i deputetit dhe ish-kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqaj, dhënë në Prokurorinë e Posaçme, ku flet për tenderin e matësave të Ujësjellësit, duke përjashtuar tërësisht veten nga përgjegjësia dhe duke ia ngarkuar Salarjon Totës.

…Arben Ahmetajn e kam njohur prej shumë vitesh si anëtar i Partisë Socialiste dhe rolin që ka patur. Unë me Arbenin nuk kam patur marrëdhënie shoqërore. Ajo ishte zyrtare, për shkak të interesave të punës dhe të Partisë Socialiste.

Salarjon Totën e njoh herët, si djalin e mikut tim, Luan Tota. Më pas, unë e njoh si drejtori i Ujësjellësit të Fierit, periudhën nuk e mbaj mend. Zgjedhja e tij si drejtor i Ujësjellës-Kanalizime Fier (UKF) është bërë nga Bordi i Ujësjellësit. Dua të sqaroj se Ujësjellësi nuk ka qenë në varësi të Bashkisë së Fierit.

Në momentin që ai u bë drejtor, unë kam qenë kundër këtij vendimi dhe unë nuk kam pasur marrëdhënie me Salarjonin. Bordi i Ujësjellësit zgjidhet nga Kryetari i Bashkisë, por kujtoj se kryetari i Bordit ka qenë Xhevit Bushi, anëtar Kozma Sako, ndërsa anëtarët e tjerë nuk i mbaj mend”.

Në vijim, Baftjar Zeqaj jep detaje për tenderin e Ujësjellësit për matësat e ujit.

Në foto: Pjesë nga deklarimi i Baftjar Zeqaj për tenderin e Ujësjellësit Fier

Unë kam qenë shumë i tronditur në periudhën 2012-2013, kur mësova që Bordi i Ujësjellësit do të merrte një kredi (5 milionë euro) për sahatet. Për dy arsye: Së pari, ne si Bashki kishim marrëdhënie shumë të mira me Bankën Gjermane, KFV, pasi investimi i saj kishte nisur dhe ishte një formë kredie, po kështu ishte në fazën përmbyllëse të Ujësjellës-Kanalizime Fier.

Në atë kohë, nga Bashkia, në bashkëpunim me KFV, po punohej për rrjetin e brendshëm të ujësjellësit të qytetit. Edhe banka gjermane u shqetësua se po merrej një kredi tjetër, ndërkohë po shlyhej kredia e tyre. Bordi i Ujësjellësit mori vendim për kredinë 5 milionë euro.

Momenti i dytë që u shqetësova ishte se nuk kishte përfunduar rrjeti i ri dhe nuk nevojiteshin sahatet në atë moment. Këtë kredi, Bordi i Ujësjellësit e ka marrë me emergjencë dhe është marrë sapo është ndërtuar Bordi me drejtorin e ri, Salarjonin. 

Unë kam dhënë dy konferenca mediatike në atë kohë, ku kam argumentuar se është një kredi e pajustifikuar dhe minonte të gjithë investimin e bankës gjermane. Nuk e di nëse kanë qenë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, për të cilët është marrë kredia dhe nëse ata kanë sjellë sahatet…” , është shprehur Baftjar Zeqaj para prokurorëve të SPAK-ut.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...