Më shumë se një orë ka zgjatur takimi mes Presidentit Ilir Meta dhe ambasadorit amerikan Donald Lu, takim ky i zhvilluar në ambientet e Presidencës.
Ende nuk dihet tema e takimit, por vjen vetëm një ditë pasi në shtyp dolën disa raportime që kishte bërë ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla një vit më parë në Kongresin amerikan.
Llalla kishte raportuar në Kongresin amerikan se Lu i ka kërkuar atij, futjen në burg të Ilir Metës, në atë kohë kreu i Kuvendit dhe njëherësh, kryetari i LSI-së.
Sipas Llallës, Lu i ka thënë se Meta duhet të shkojë në burg pasi është i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi.
Por, lidhur me këtë deklaratë të Llallës, një ditë më parë reagoi edhe Lu, i cili e quajti ish-Prokurorin gënjeshtar, ndërsa shtoi se ai mund të përfundojë në burg për shkak të korrupsionit.
/55News.al/