Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, nëpërmjet një statusi në Facebook shprehet se me veprimet e sotme në seancën plenare Gramoz Ruçi groposi parlamentin, rregulloren e kuvendit dhe veten
Postimi i plotë
Ruçi groposi parlamentin, rregulloren e kuvendit dhe veten, ndërsa Edi Rama qesh me të.
Kryetari i parlamentit groposi sot gjithçka në Parlament. Ai hodhi për votim dhe votoi mbylljen e diskutimeve me kërkesë të mazhorancës dhe vetëm me votat e saj, pa pasur asnjë kërkesë apo dakordësi nga opozita, që ajo të tërhiqej nga diskutimet.
Të drejtën për tu tërhequr nga diskutimet e ka vetëm çdo deputet individualisht apo kryetari i Grupit Parlamentar në emër të të gjithë grupit dhe askush tjetër. Kjo nuk ndodhi dhe këtë e panë të gjithë shqiptarët ditën për diell. Pra banditët e mazhorancës të mbështetur nga Ruçi i grabiten opozitës të drejtën e patjetërsueshme të fjalës, të garantuar me rregullore e Kushtetutë.
Kjo është ngjarja më e rëndë e të gjithë parlamentit pluralist. Ruçi me vullnet të plotë dhe si mashë e verbër e Kryeministrit halabak, e mori vetë përsipër një vendim të tillë dhe varrosi integritetin juridik të drejtimit të parlamentit dhe të tijin personal. Tash e tutje parlamenti nuk ka as kryetar parlamenti dhe as rregullore.
Çdo belbëzitje e kryetarit të Parlamentit për gjoja respektimin e rregullores dhe etikës është as më shumë dhe as më pak se sa një faqe turpi më shumë drejt një mbylljeje të përlyer dhe pa asnjë dinjitet e karrierës së tij të gjatë politike, që Edi Rama ja doli t'ia ndyjë në mënyrë të pakthyeshme.