Ish-Presidenti Nishani: Vendi në situatë të rëndë, po shkon drejt përplasjes civile

Tuesday, 25 September 2018 10:11

Ish-presidenti Bujar Nishani, ka bërë një paralajmërim të fortë.  “Unë mendoj që situata sot është më delikate se kurrë më parë dhe mund të them që për fatin e keq Shqipëria po shkon drejt një përplasjeje serioze civile”, ka thënë ai në një intervistë televizive.

Sipas Nishanit Shqipëria është në një situatë të rëndë, ekonomike e politike.

Zoti President, si iu duket sot politika shqiptare jashtë institucioneve të shtetit , është më e mirë apo më e keqe?

Nuk mund të thuash është më e mirë apo më e keqe por gjithmonë është koha për të bërë analiza, vlerësime, gjykime, dhe për të adresuar mendime të cilat mund të ndikojnë ose mund të mos ndikojnë por në fund të fundit përgjegjësia e një individi , aq më tepër e njerëzve që kanë pasur përgjegjësi publike dhe kanë ushtruar aktivitet publik duhet të jenë pjesë edhe në vijimësi e kësaj situate.

Unë mendoj që situata sot është më delikate se kurrë më parë dhe mund të them që për fatin e keq Shqipëria po shkon drejt një përplasjeje serioze civile.

Zoti President, po na frikësoni.

Mund të duket si një deklaratë apo retorikë e ekzagjeruar, por unë mund tua shpjegoj pse nuk është as retorikë dhe as e ekzagjeruar. Kemi një situatë në gjykimin tim përsa i takon aspektit kryesor të kolonës së shtetit që është siguria dhe rendi. Pa siguri dhe pa rend asnjë nga kolonat e tjera të ngrehinës së shtetit nuk mund të funksionojë. Opozita para pak ditësh dhe gazetarë investigativë konfirmuan faktin që vetëm në Vlorë janë 19 persona të zhdukur. Persona të zhdukur do të thotë të asgjësuar. Do të thotë që janë 19 familje në një qytet, 19 rrethe miqësore dhe shoqërore njerëzish në një qytet të cilëve u është zhdukur dhe asgjësuar njeriu i tyre. Por paralelisht me këtë, më e keqja është se institucionet e shtetit nga njëra anë, policia e para dhe vetë familjarët kanë rënë në një kod heshtje. Kjo do të thotë që nuk presin më drejtësinë nga institucionet e shtetit, por të gjitha gjykimet të çojnë që ngjarja do të vazhdojë dhe do të rrjedhë në vetëgjyqësi. Unë jam i gjykimit që njerëzit e afërt të këtyre personave të zhdukur e dinë shumë mirë se kush i ka zhdukur. Ashtu siç jam i bindur që edhe policia e di. Dhe nëse ne kemi mbërritur në një pikë që kodi i heshtjes, që është kodi i mafias , qoftë nga ana e policisë apo dhe nga ajo e qytetarëve konvergon te forma më e sofistikuar e krimit, e zhdukjes pa lënë gjurmë . Kemi 19 persona në një qytet kështu që do presësh vazhdimin e kësaj përplasjeje që është përplasje për asgjësim. Kjo situatë nuk është vetëm në Vlorë. Kjo nuk është një logjikë e retorikës politike, nuk është një logjikë e ekzagjeruar por po them kur janë 20 apo 30 persona në rang vendi të zhdukur, kur dihet se kush i ka zhdukur dhe ata do jenë targeti i hakmarrjes dhe shteti nuk ndërhyn sepse e mban të fshehtë , praktikisht do të thotë që qeverisë i ka dalë situate e rendit dhe sigurisë nga dora …

Zoti Nishani, a i besoni ju Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike?

Patjetër! Unë besoj te zoti Basha dhe kam arsye. Së pari, z. Basha i takon një brezi të ri politikanësh i cili ka një formim perëndimor , një kulturë perëndimore që në çdo situatë jam i sigurt që instikti do e çojë në kah pozitiv. E dyta, me gjithë këtë përkatësi të një kontributi apo të një angazhimi jo shumë të gjatë në politikë ka arritur të marrë dhe të fitojë disa eksperienca ekzekutive. Ka qenë i suksesshëm si ministër i jashtëm, ka qenë i suksesshëm si ministër i brendshëm, dhe natyrisht që në krye të opozitës mendoj që do t’i duhet patjetër edhe më shumë eksperiencë , edhe më shumë mësime do të nxjerrë, do t’i duhen edhe bashkëpunëtorë më të zotë…

Kur të marrë Rama mandatin e tretë?

Nuk besoj se ka shans… Sot qytetarët shqiptarë janë më shumë sesa në majë të hundës të mbushur… Opozita patjetër duhet ta kapitalizojë. Si qytetar i thjeshtë do të doja ta shikoja çdo ditë, opozitën pranë qytetarëve, që nga Vermoshi në Konispol.

Nëse PD humb zgjedhjet të vitit 2019, Lulzim Basha duhet të largohet nga drejtimi i saj?

Ajo është një çështje që i takon strukturave të Partisë Demokratike. Unë nuk jam arbitër, nuk jam gjyqtar, duhet të gjykojë dhe vendosë Partia Demokratike në bazë të rrethanave . Kam respekt për të gjithë ata që nuk janë më pjesë e PD . Ata janë personalitete që i kanë shërbyer kësaj partie , i kanë shërbyer edhe shtetit shqiptar, dhe jam i sigurtë që do iu jepet mundësia të vazhdojnë të kontribuojnë sepse janë të nevojshëm, nuk janë të panevojshëm , jo vetëm për PD por tashmë kjo parti ka strukturat e saj dhe sidoqofshin ato do të vendosin.

Zoti President, lidhur me çështjen e shkëmbimit të territoreve në Kosovë, si ka mundësi që arrihet në një tezë të tillë, të frikshme, të keqe, sepse ne nuk kemi kontrollin në Mitrovicë atje ku është tokë shqiptare dhe vetëm rezervat pa llogaritur pjesën që është tokë shqiptare është 1 miliardë dollarë.

Unë mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos përdorim në mënyrë spekulative ndjesitë e një grupimi njerëzish , e një komuniteti shqiptarësh të cilët janë më të persekutuarit sot në të gjithë Evropën dhe ndër më të persekutuarit edhe në rang global. Gjatë kohës që kam qenë president kam vizituar Bujanovcin dhe Preshevën dhe kam parë që atje nuk ka nje genocid në kuptimin e dhunës fizike por ka një platform djallëzore të një spastrimi etnik duke aplikuar platformë varfërimi , izolimi, fyerje dhe mungese zhvillimi. Përgjegjësia kryesore sot e situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës është e qeverisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës. Këto dy qeveri sot e kësaj dite nuk kanë një platformë lidhur me shqiptarët e Luginës se Preshevës. Kanë retorikë dhe nuk kanë aksion. Nuk është e pamundur për qeverinë shqiptare që të ketë në buxhetin e shtetit një zë të veçantë për të alokuar fonde për ndërtimin e shkollave, spitaleve, për të trajtuar me asistencë sociale familjet që janë në nevojë në Luginë.

Shkëmbimi i territoreve është absolutisht një tezë e kah hershme e Serbisë e cila ka pësuar një ridimensionim të një frekuence të lartë , të cilat janë arsye tërësisht politike por kanë si burim një mentalitet të një hegjemonie serbe mbi të gjithë rajonin dhe shkëmbimi i territoreve nuk do të thotë as më pak e as më shumë përveç se anulimi i procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga shtetet kryesore sot të botës. Serbia mund të kërkojë edhe rikthimin e Kosovës në pikën zero, para shpalljes së pavarësisë . Nëse flasim për shkëmbim territoresh pse nuk kërkohet rikthimi i Jugosllavisë ? Sepse Kosova është produkt i një procesi të një shpërbërjeje jo konsensuale madje me luftëra të ish-Jugosllavisë. Patjetër që këtu ka një synim shumë të mbrapshtë për të rinisur nga e para proceset e federalizmit të Ballkanit me një fuqi hegjemoniste siç është Serbia duke nisur nga Kosova dhe suke e shtrirë në Bosnjë – Hercegovinë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe patjetër edhe në procese të tjera nëse realizohet.

Mendoj që ka pasur një presion shumë të fortë nga lobet pro serbe mbi përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Jam i bindur që ka një reflektim nga ana e presidentit Trump. Kontaktet që unë kam pasur me përfaqësues të Kongresit Amerikan, janë për një rikthim të angazhimit dhe prezencës amerikane në më frekuente në Europë dhe rajonin e Ballkanit. Serbia e nuhat patjetër këtë gjë dhe kërkon që ta bëjë fakt të kryer atë projekt që ajo të paktën ka 10 vjet që e mendon. Në vitin 2008 , në disa takime Serbia përfaqësohej me Ivica Daçiç që në atë kohë ishte ministër i brendshëm dhe ideja e shkëmbimit të territoreve me Kosovën dhe jo vetëm ka qenë që në atë vit. Këtë e ka shprehur në formën më të drejtpërdrejtë. Nuk duhet të ankohemi pse Serbia punon për interesin e saj. Duhet të analizojmë veten tonë, a po punojmë ne për interesat tona? Ai shkëmbimi i territoreve do të thotë që ne t’i dorëzojmë sërish Serbisë varrin e Isa Boletinit. Ne varet tona i kemi të gjitha në tokat tona.

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi kërkon 100 mijë dollarë nga ju sepse i keni thënë sharlatan. Komenti juaj?

Unë po pres të njihem me padinë sepse nuk e kam marrë ende. Jam njohur me këtë çështje vetëm nga mediat. Patjetër që unë do të respektoj procesin dhe ligjet e shtetit tim dhe të vendit tim, do ta ndjek me seriozitet në gjykatë procesin. Do marr avokat. Nëse flasim për edukatë apo shpërthime emocionale, nëse do klikonit në internet dhe do shikonit fjalorin që përdor zotëria , është një fjalor që shokon çdo familje dhe çdo fëmijë.

Mendoni se e keni tepruar me atë fjalë?

Absolutisht jo. Kam shprehur një opinionin tim , dhe nuk kam pasur për synim ta fyej personalisht.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...