Erdhi, pa, la një mesazh të koduar dhe iku…

E Enjte, 19 Prill 2018 17:04

Në rreshtat e fundit të sallës së Parlamentit, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u ul duke regjistruar emrin, më shumë për të mos humbur mandatin, sesa për “perlat” që do nxirrte nga fjalimi i tij. Megjithatë, Tahiri nuk e shpenzoi kohën për të folur dhe arsyeja sipas tij ishte se përderisa opozita nuk ishte në Parlament, fjalimi nuk do i kishte vlerë.

Erdhi, pa, la një mesazh të koduar dhe iku… Pyetjes nëse keni komunikuar me Ramën?! Tahiri iu përgjigj: “Për mua ka vlerë e vërteta dhe nuk ka vlerë askush që nuk mund, ose mund të më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi, nuk e besoj që do ketë bir nëne dhe bir kurve që do të më pengojë”.

Është hera e dytë që Tahiri lëshon sinjale të koduara që shkojnë drejt e në veshët e kriministrit. Në mesin e muajit tetor të vitit të kaluar, kur diskutohej arrestimi i tij për katër akuza të rënda, mes të cilëve trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, Tahiri u shpreh se: “Nuk keni parë gjë akoma”, duke e huazuar shprehjen e kryeministrit. Dhe mjaftoi kaq që të ndryshonte vendimi i PS-së, që në fillim ishin shprehur se nuk do të ndërhynin në sistemin e drejtësisë, por më vonë refuzuan të aprovonin arrestimin e Tahirit, duke i bërë “nderin e parë”.

Tahiri di shumë, ose edhe nëse nuk di, të paktën po i lë të kuptojë kryeministrit që ai ka në duar diçka që implikon kryeministrin dhe të afërm të tij në ndonjë aferë që mund ta rrëzojë përfundimisht nga pushteti. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka vërtetuar se ishte i dhënë pas modelit të përgjimit. Në paradhomën e tij ndërsa mbante postin e ministrit  u gjet një pajisje përgjuese. Atëkohë u tha se mund të ishte vendosur nga zëvendësministri, i cili vinte nga radhët e LSI-së. Ndërkohë Tahiri dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, u përfshinë në skandalin e pajisjes përgjuese “IMC Catcher”,  e futur ilegalisht në vendin tonë dhe që dyshohet se ka përgjuar në mënyrë të paligjshme personalitete të politikës apo drejtësisë, për llogari të ish-ministrit.

Por këto kode politike mes tyre, të denja për kodet e familjeve mafioze kanë një motiv. Ish-ministri i Brendshëm i konsideruar nga Rama si: “më i suksesshmi i të gjithë kohërave”, mesazhin ia la Ramës, që ky i fundit për të mbuluar çdo gjë, duket të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. “Kush e ka marrë heshtjen time për dorëzim, është gabuar. Është vetëm respekt për drejtesine. Këtë rrugë do ndjek me durim. Ndërsa me këtë historinë e mesazheve të koduara që lëshokam unë, bjerini shkurt. As më duhet ti çoj mesazh njeriu. Dhe po të kem, jam nga ata që i bën drejtëpërdrejtë. Më intereson vetëm e vërteta dhe drejtësia, askush e asgjë tjetër. E nuk do ndalem”-nxitoi të jepte shpjegim pak pas dekratës së parë Saimir Tahiri.

Në këtë rast bëhet fjalë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, që ka në duar dosjen e tij, ndërsa Kryeprokurorja Arta Marku do vihet në “përgjegjësi” nëse Rama do i kërkonte të sfumonte përfundimisht dosjen e Tahirit. Kjo nuk është më një betejë e drejtësisë, por një çështje e “brendshme politike”, ku Tahiri dhe Rama po luajnë në një tabelë shahu, për të zënë mat tjetrin. Tahiri “kërcënon” se ka në duar gurë të fortë, që nëse do i nxirrte hapur, mund të rrëzojë përfundimisht Ramën.

Login to post comments