Ne do i themi ‘JO’ urdhrit të prokurorisë

Tuesday, 20 September 2022 09:49

Nen presion dhe nën panik, një prokuror i vetëm, apo një grup anonim prej tyre, kanë nxjerrë një akt të denjë për një regjim tiranik. Pas bërjes publike të disa prej e-maileve të ish-drejtorit të policisë Gledis Nano, ata kanë prodhuar një shkresë e cila i ndalon mediave publikimin e mëtejshëm të materialeve që dyshohet se janë hakeruar nga iranianët.

Arsyeja që përdorin si justifikim është cenimi i sigurisë kombëtare. Ashtu sikurse ndodh në të gjitha autokracitë, ku burokratët liliputë vendosin raison d’etat (arsyen shtetërore) mbi interesin publik edhe prokuroria e kryeqytetit i ka rënë shkurt, duke kërcënuar me hetime penale për mediat që do të gjykohen nga AMA dhe AKEP si shkelëse të këtij urdhri.

Se ku shkelet siguria kombëtare kur ne, përmes emaileve të rrjedhura, kuptojmë se policia ka qenë e informuar, se një gjoja i shumëkërkuar prej saj, bredh lirshëm në kryeqytet, këtë askush nuk mund ta thotë. Se ku cenohet ajo kur qytetarët mësojnë përmes sistemit TIMS, që p.sh. një qeveritar ka udhëtuar jashtë shtetit me bosët e inceneratorëve, kjo është vështirë të kuptohet. Se ku rrezikohet atdheu, kur merret vesh se shërbimet partnere njoftojnë se filan biznesmen nga Fieri, mik politikanësh, ka për burim paratë e drogës, këtë s’ka bir nëne që ta argumentojë.

 Në të kundërt gazetarët e racës janë të dënuar t’i publikojnë këto të dhëna dhe ligji në vendet demokratike është i konceptuar për ti mbrojtur ata në këtë mision.

Le të mos shkojmë larg, por të përmendim skandalin e Wikileaks, prej të cilit rrodhën plot 250 mijë kabllograme të diplomacisë amerikane. Uashingtoni zyrtar e konsideroi atë një “krim”. Ish sekretarja e shtetit Klinton e cilësoi si një sulm kundër interesave të SHBA, por megjithatë, askujt, por askujt nuk i vajti në mendje të procedonte apo të ndalonte publikimin e këtyre “krimeve”, që vazhdoi për ditë të tëra përmes konsorciumit të pesë gazetave më të mëdha të botës: The New York Times, The Guardian, Der Spiegel, Le Monde dhe El Païs.

Kjo dilemë në SHBA është zgjidhur që me një vendim të Gjykatës Supreme të qershorit 1970, për Pentagon Papers, sipas të cilit për çështje sensitive gazetarët mund t’i informojnë autoritetet për atë që kanë në mend të botojnë, por këta të fundit nuk ruajnë asnjë ë drejtë t’i pengojnë në ushtrimin e profesionit të tyre.

Pra, si në rastin e kabllogrameve të Wikileaks, si në këtë tonin të dokumenteve që supozohet se janë hakeruar nga Irani, gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm për të mos publikuar emrin e një diplomati amerikan që kryen shërbimin në një shtet ku i rrezikohet jeta, apo të një agjenti të policisë shqiptare që ka denoncuar një bandë të egër kriminale. Pikërisht për këtë u ngrit dhe konsorciumi i pesë gazetave në rastin e Wikileaks, për t’i vënë dokumentet në kontekst, për ti shpjeguar ato, për të ruajtur viktimat kolaterale, pra për të bërë rolin e ndërmjetësit mes sekreteve shtetërore dhe publikut që do të njihet me to. Shumë reporterë kanë treguar më pas se Departamenti i Shtetit i kërkoi atyre të shuanin emrat e diplomatëve që ishin nën kërcënim. Dhe ata e bënë këtë gjë duke ruajtur ekuilibrin e duhur mes asaj që përbën sekret për qeverinë dhe asaj që përbën dobi për opinionin.

Pra këtu fillon dhe mbaron marrëdhënia e gazetarëve me autoritetet. Çdo gjë tjetër i lihet në dorë profesionalizmit të mediave për të gjykuar nëse historia që do të rrëfejnë ka interes publik.

Natyrisht, në këtë pikë shumëkush do të thotë: po kjo nuk është shaka, nëse ky është një sulm nga Irani, në nuk kemi pse bëjmë lojën e tyre. Kjo ka të bëjë me diçka shumë më të madhe sesa thjeshtë transparenca për publikun.

Por edhe për këtë përgjigja është e gatshme. Në periudhën e fushatës të Hilari Klintonit kundër Trampit, Partia Demokrate e denoncoi sërish Wikileaks se kishte marrë pjesë në të famshmen «russiagate» ku dyshohej se Kremlini kishte piratuar emailet e saj, për të ndikuar mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Ndonëse ndërhyrja ruse është për SHBA, ku e ku më shqetësuese se ajo e iranianëve për një shtet mikroskopik të NATO-s, drejtësia amerikane e dha verdiktin se shoqata e Julian Asange dhe mediat që i publikuan emailet patën bërë vetëm punën e tyre.

E pra, në një sistem që pretendon të jetë demokratik, nuk është e mundur që prokuroria ti imponohet mediave për t’i ndaluar të raportojnë, në bllok një çështje, duke i privuar kështu nga e drejta e tyre për të vendosur se çka përbën interes publik.

Pikërisht për këtë ata prokurorë që kanë marrë një vendim të tillë nuk janë asgjë më shumë sesa lekej tiranish.

Një gjë të tillë drejtësia shqiptare e provoi pak kohë më parë, kur «heronjtë e fëmijve tanë» që gjenden në SPAK, kërkuan të sekuestrojnë Lapsi.al duke e gjetur fajtorin jo tek ata që i vodhën të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve, për të manipuluar zgjedhjet, por tek gazetarët. Këtë tentativë e rrëzoi, aty për aty, Gjykata e Strasburgut. Sepse ne si media, grabitjen e të dhënave personale të njerëzve, nuk e trajtuam as duke shkelur privacinë, as si kuriozitet vuajerist se kush patronazhist po i përgjonte. Ne u fokusuan në faktin se ata po përdoreshin si mish për top për interesat e pushtetit. Prandaj dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut na dha të drejtë.

E njëjta fabul shërben edhe për sot. Publikut i bën mirë të zbulojë disa të mëkate dhe krime që qeveritarët ia mbajnë të fshehura, qoftë edhe nëse ato janë grabitur me qëllime të këqija nga Irani. Pikërisht për këtë, injorimi i këtij urdhri, që ndalon publikimet, është një detyrë për cilindo gazetar të vërtetë që nuk e jeton profesionin si zvarranik pushteti, njësoj si prokurorët që e shkruan atë./Lapsi.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...