Balliu: Emri Vata do të fitojë në Kukës, bashkimi ka ngritur një frymë në vend

Hënë, 18 September 2023 12:03
Klevis Balliu, Sekretari i Organizimit në PD, deklaroi sot se opozita po i kushton shumë vëmendjes, fushatës elektorale në Kukës pasi fitorja më 24 shtator është jetike për qytetarët e bashkisë më të diskriminuar nga qeveria Rama. Balliu tha se përveç skandalit turpërues, qytetarët e Kukësit mësuan edhe për aferën korruptive, ku për një qen, pushteti jepte 60 mijë lekë në muaj, ndërsa për një banor me ndihmë ekonomike, 30 mijë lekë!!! Balliu në veçanti u ndal tek roli negativ që po luan ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që për interesa monetare nga Kryeministri, pa zgjedhur asnjë kandidat në Kukës, pranon komisionerë prej tij që të mbrojë votat e mazhorancës!

Në 24 shtator 2023, qytetarët e Kukësit do të  votojnë për Kryetarin e ri të bashkisë së Kukësit ndërmjet dy emrave në garë:  Kandidatit Albert Halilaj të Partisë Socialiste dhe kandidatit Emri Vata të koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”.  Zgjedhjet zhvillohen për postin e lënë bosh nga Kryetari socialist Safet Gjici, fitues i zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, që u shkarkua në qershor për shkak të një skandali seksual.

 
 
 
 
 

Pjesë nga intervista:

 
Flavio: Duket sikur po kalon pa shumë vëmendje, po nga ana tjetër PD-ja po  i jep shumë intensitet dhe vëmendje angazhimit për  betejën elektorale të Kukësit. Pse po ndodh kjo?
 
 

Klevis Balliu: Mendoj se është jetike. Duhet të kuptojmë që këto dhjetë vjet, Kukësi ka qenë një nga qytetet më të diskredituara nga qeveria. Kjo është një qeveri që ka një racizëm gjenetik nga veriut dhe siç tregojnë edhe statistikat, qyteti që e ka vuajtur më së shumti shpopullimin. Është një problem që e ka prekur të gjithë vendin, por ai qytet që e ka vuajtur më së shumti është pikërisht Kukësi. Duke marrë parasysh edhe skandalin e turpshëm që ndodhi, që u tregua dhe u qartësua për këdo se cili është standardi dhe niveli i kësaj mazhorance, mendoj se është jetike për t’i kthyer përgjigje kësaj mazhorance që qytetarët e Kukësit dhe Kukësi nuk janë të atij standardi, që Kukësi nuk voton për këto akte të shëmtuara.

Mbi të gjitha duhet të diskutojmë edhe pjesën e skandalit korruptiv të asaj videoje ku pamë që një qen kushton 60 mijë lekë në muaj, ndërkohë që ndihma ekonomike për njerëzit është 30 mijë lekë në muaj!!! Pra, është një turp i vërtetë dhe mendoj se është jetike t’i kthejmë një përgjigje bashkarisht, mazhorancës aktuale.

Flavio: Çfarë po ndodh këto javët e fundit në Kukës? Edhe si qytet, edhe përsa i përket organizimit të PD-së pas procesit të primareve me emrin e Emri Vatës?

Klevis Balliu: Emri Vata është një kandidat i zgjedhur nga vota nëpërmjet procesit të primareve dhe ka një bashkim në Kukës. Gjithashtu, ditën e nesërme do të jenë edhe të gjithë deputetët e Partisë Demokratike, të cilët do të mbajnë një mbledhje organizative në kuadër të organizimit dhe të fushatës elektorale që është sot. Pra, në këtë kontekst angazhimi ka qenë maksimal dhe bashkimi patjetër që ka ngritur një frymë. 

Vetë Emri Vata është një kandidat, i cili ka goxha potencial, është i stërprovuar, e njohin mjaft mirë edhe vetë qytetarët e Kukësit dhe në këtë kontekst, nuk ka asnjë paralelizëm që mund të bësh midis Emri Vatës dhe kundërshtarit të tij politik, i cili vjen aty vetëm për një arsye, për vazhdimin e skandaleve korruptive që ka në program dhe në plan Qeveria Rama, për të varfëruar dhe larguar sa më shumë qytetarë nga Kukësi.

Flavio: Flasim pak për partnerët e qeverisë në kampin opozitar. Z. Basha pati një fat të keq ose nuk e di se si do ta quaja, që personi me të cilin e pamë në video nga kampi i mazhorancës, z. Balla, u bë Ministër i Rendit dhe rendi nuk është se pati një kthesë të këndshme. Menjëherë më pas, emërimi i z. Balla filloi me zhdukjen e sistemit TIMS, vazhdoi me incidente të gjithfarëllojshmederi te çudirat me rrahje të tmerrshme me video. A keni ju një koment për sjelljet e fundit të z. Basha dhe sigurisht për një performancë të z. Balla?

Balliu: Zoti Basha e ka zgjedhur rrugën e vet, kërkon të jetë bashkë me Edi Ramën. Interesi i tij është interes monetar dhe këto interesa monetare i shkojnë më për shtat me Edi Ramën. Përsa i përket provave dhe fakteve të bashkëpunimit të tij, është më se e qartë, ai s’ka asnjë kandidat në Kukës, por mazhoranca i jep komisionerët për të mbrojtur votat e kujt?! Për të mbrojtur votat e mazhorancës, që është e turpshme dhe tani është e qartë për çdo qytetar.

Ka qenë një Front revolucionar në 1945-ën i krijuar nga Sigurimi i Shtetit, që supozohej të ishte një organizëm opozitar ndaj regjimit, por ndërkohë atë e kishte krijuar Sigurimi i Shtetit! Funksioni këtij Fronti ishte që të shikonte se kush ishin ata njerëz që flisnin kundër regjimit apo donin të ndërmerrnin akte kundër regjimit dhe më pas i raportonin te Sigurimi dhe arrestoheshin.

Edhe zoti Basha sot është ky lloj Fronti, sepse Partia Socialiste nuk ndryshon, është po e njëjta që ka qenë , ka të njëjtin mentalitet. Ç’është e vërteta, fëmijët nipërit e atyre që kanë drejtuar gjatë regjimit, drejtojnë dhe sot dhe mentaliteti i tyre, projektet e tyre politike nuk ndryshojnë, siç është rasti i pikëpamjes së kësaj mazhorance me Kosovën. Është po i njëjti që ka pasur Enver Hoxha, që ka pasur regjimi. Po njesëj janë këta.

Ka një glorifikim të simboleve po edhe të njerëzve; merrni p.sh. Skënder Gjinushin, ish-Ministër i Arsimit i diktaturës - sot Kryetar i Akademisë së Shkencave!!! Kemi promovime dhe dekorata që ka bërë Erion Veliaj për oficerët e lartë të Sigurimit të Shtetit apo ata që kanë hartuar Kushtetutën e diktaturës. Në këtë kontekst, këta nuk ndryshojnë dhe ky është programi, projekti, plani që ata kanë. Dhe sot njësoj si në 1945-ën, ata krijojnë nj tjetër Front që ta quajnë “opozitar” me të cilin kanë për mision të sulmojnë opozitën.

Login to post comments