Zbulohen skemat, si u vodhën fondet e IPARD në Shqipëri

Premte, 21 June 2024 21:28
 

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, e njohur ndryshe si OLAF ka publikuar një përmbledhje të punës gjatë vitit 2023, ku një hapësirë e veçantë i është kushtuar hetimit në Shqipëri, për abuzimet me fondet e IPARD.

Vitin e kaluar, me rekomandimin e OLAF u ndërprenë qindra miliona euro ndihma për fermerët shqiptarë nga programi IPARD 3, pas një hetimi mbi abuzimet e AZHBR, për të cilat u akuzua ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca.

Pasi doli skandali, Krifca u shkarkua si ministre, ndërsa Nisma Thurje dorëzoi një kallëzim për të në SPAK.

Në pasqyrën e punës që ka publikuar OLAF bëhet me dije se materialet që u gjetën nga hetuesit e Bashkimit Europian iu dorëzuan prokurorisë shqiptare. “Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë” thuhet në raportim.

Në pasqyrën që ka publikuar për rastin e abuzimeve në Shqipëri, OLAF raporton se “hetoi akuza serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD II) në Shqipëri.

Një pretendim ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.

Si vidheshin fondet e ndihmës për fermerët

Në pasqyrën e punës së OLAF për vitin 2023, përmendet AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët kanë kryer parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve. OLAF gjeti disa mënyra se si funksiononte korrupsioni me fondet e BE.

  1. Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;
  2. Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);
  3. Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.
  4. Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II 33 milionë euro, si të papërshtatshme.

Në përfundim të hetimit, OLAF rekomandoi më tej që BE të anulojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.

Reagimi i qeverisë Rama

Ndërsa hetimet rezultuan me anulimin e qindra miliona eurove ndihma për Shqipërinë, qeveria shqiptare pati një reagim halucinant kur shpërtheu skandali.

Ministrja e Bujqësisë në detyrë Frida Krifca u përpoq ta shuajë zhurmën në media duke i quajtur “normale” procedurat e hetimit për korrupsion duke thënë se “programi vazhdon”, ndërkohë që Bashkimi Europian konfirmonte se fondet ishin pezulluar.

“Keto janë procedura normale të Bashkimit Europian,-shprehej Krifca,- në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara”.

Të gjithë strukturat shqiptare janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë”shprehej ish-Ministrja e Bujqësisë. Por kuptohet se reagimi në fjalë ishte sa për të larë gojën në kushtet kur Bashkimi Europian i kishte kapur zyrtarët shqiptarë me duart në thesin e parave të taksapaguesve europianë. Disa muaj më pas, Frida Krifca u largua nga qeveria, ndërsa dosja duket se është arkivuar në prokurori.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Globi

Siguria e Lojërave Olimpike në Paris

Tre ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, ministri i Brendshëm i Francës përshëndeti forcat e rendit siç tha ai “për punën e tyre të palodhur”. Ai tha se përkushtimi i oficerëve...

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

Politikë

Ish-komandanti i Gardës në SPAK

  Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi është paraqitur në SPAK. Paraqitja e tij në SPAK vjen pasi Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks...

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

Aktualitet

Çfarë rrezikojnë njerëzit nga produktet kozmetike të kontrabanduara?

  Një aksion i policisë të dielën zbuloi mallra kontrabandë në biznesin e fushës së kozmetikës, “Global Cosmetics & Distribution”. Policia njoftoi se në ambientet e biznesit në Tiranë janë gjetur rreth...