Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj po përpiqet të gjejë zgjidhje alternative për të shmangur një raport auditi të KLSH-së, i cili pritet të publikohet në tetor të këtij viti. Objekti i kontrollit financiar të KLSH-së në bashki është periudha 2019-2022 e cila përkon me skandalet më të rënda, që nga nisja e pagesave të inceneratorëve deri tek kompania “5D”. Për të dubluar këtë raport, Veliaj tha se kishte kontraktuar një kompani britanike që do të kalojë në filtër të gjitha procedurat e bashkisë së Tiranës.
Skandalet e njëpasnjëshme të inceneratorit inekzistent të Sharrës dhe kompanisë “5D” duket se e kanë nxitur kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që të gjejë zgjidhje alternative për t’iu shmangur rezultateve të pritshme të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në një aktivitet të prezantuar publikisht në media të mërkurën e kësaj jave, Veliaj deklaroi se “Një vendim që morëm këtë javë është lidhja në partneritet me kompaninë më të njohur të mirëqeverisjes në Britaninë e Madhe, në mënyrë që e gjithë bashkia e Tiranës të kalojë në filtër të gjitha procedurat, mënyrën se si funksionon, si merren vendimet, si kontrollohen ato, mënyra e zbatimit të projekteve, por edhe inspektimin e zbatimit të tyre, për transparencë maksimale”.
Megjithëse, siç tha Veliaj, kompania e kontraktuar ka rol këshillimor, duket se objekti i punës së saj i mbivendoset një auditimi financiar të nisur vetëm pak javë më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në bashkinë e Tiranës.
Syri Televizion mëson se, prej fundit të qershorit të vitit të kaluar, një grup prej 10 audituesish kanë nisur procedurat e inspektimit financiar dhe të përputhshmërinë në institucionin e drejtuar nga Veliaj.
Ky grup pune i Kontrollit të Lartë të Shtetit pritet të përfundojë kontrollin dhe të bëjë publik rezultatet deri në Tetor të këtij viti.
KLSH ka organizuar inspektimin e fundit në bashkinë e Tiranës në vitin 2019. Tashmë, objekti i kontrollit financiar është periudha 2019-2022.
Kjo periudhë përfshin shkeljet më të mëdha të zbuluara në bashkinë e Tiranës. Në fillim të vitit 2019, bashkia e Tiranës nisi pagesat për inceneratorin inekzistent të Sharrës. Këto pagesa nuk po ndalen, megjithëse kompania koncesionare ‘Integrated Energy BV” nuk ofron shërbimin e plotë për të cilin paguhet.
Gjithashtu, periudha që është tashmë nën auditim nga KLSH-ja përkon me kulmin e aktivitetit abuziv të kompanisë së drejtorëve të bashkisë së Tiranës, “5D”.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme, megjithëse të pjesshme, zbuluan një numër të konsiderueshëm tenderash të fituar nga “5D” në mënyrë abuzive në institucionin e drejtuar nga Veliaj.
Pikërisht, dyshimi se këto shkelje të raportuara me zë të lartë nga opozita me shumë mundësi do të çertifikohen edhe nga KLSH-ja, Veliaj ka menduar të aplikojë një skenar propagandistik për të zbutur efektet e skandalit.
Ai ka sajuar një kontratë me një kompani ndërkombëtare për të amortizuar skandalet, duke prezantuar një projekt, siç thotë ai, transparence, ndërkohë që ka drejtuar për tre mandate Bashkinë e Tiranës nën errësirë të plotë.