Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur mbrëmjen e sotme në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ i ka bërë thirrje Edi Ramës që të hapë rrugë për zgjedhje të lira në Shqipëri.
Berisha tha se, Ramës do i themi, hap rrugë për zgjedhje të lira sepse në të kundërt do të përzehet fare nga Shqipëria.
Lideri demokrat, Sali Berisha i ka bërë gjithashtu thirrje demokratëve që të lënë mënjanë çdo hatërmbetje mes tyre.
Në tubimin qytetar te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha u shpreh se forca tregohet vetëm kundër armikut të përbashkët, kundër armikut të Shqipërisë, kundër armikut të shqiptarëve dhe kundër armikut të fëmijëve shqiptarë që nuk ushqehen dot për shkak të vjedhjeve të tij.
Berisha tha se, Maduro i Tiranës arrestoi liderin e opozitës para zgjedhjeve, në mënëyrë që të firmosë mandatin e krimit i sigurt, por demokratët nuk do ta pranojnë kurrë një gjë të tillë. Edi Rama do të rrëzohet me forcën e qytetarëve, me trimërinë e qytetarëve dhe me guximin e qytetarëve.
Gjatë protestës në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha tha para qytetarëve se, sirenat e emergjencës kombëtare po bien në të katër anët e vendit dhe demokratët janë të gatshëm të ngrihen të betuar në betejën që i pret gjer në krijimin e qeverisë teknike për zgjedhje të lira.
FJALA E PLOTË:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufijshme ju, qëndrestarëve dhe qëndrestareve, misionarëve dhe misionareve të kauzës së drejtë të shqiptarëve.
Mirënjohje të pakufijshme për protestën tuaj të pamposhtur. Oratorëve të fjalës së lirë në parlamentin qytetar.
Të dashur miq, të dashur qytetarë dhe qytetare, sot para secilit prej nesh, para çdo qytetari të ndershëm shqiptar, para çdo atdhetari, patrioti që e do Shqipërinë, qëndron alternativa: të dorëzojmë ne përsëri shpresën, të ardhmen, dinjitetin, liritë, votën tek një bastard xhelatësh, te kreu i narkoshtetit dhe të ecim symbyllas për të firmosur mandatin e tij.
Të ecim symbyllas për të firmosur pushtetin e krimit, vjedhjes, rrënimit të Shqipërisë. Për të firmosur shndërrimin e opozitës në fasadë-opozitë. Apo do të ngrihemi me guximin tonë, me vullnetin tonë, me bashkimin tonë në një betejë të pandalshme, pa kthim, gjer në fitore.
Do ngrihemi ne për të qenë heronjtë e kohës, që ngrihemi mbi murin e krimit të Edi Ramës, mbi murin e bandave të tij, mbi murin e vjedhjeve të tij dhe i themi hap rrugë për zgjedhje të lira se përndryshe do të përzëmë fare nga Shqipëria.
Miqtë e mi, në një shtet ku qytetarët vidhen natën, ditën, në çdo kohë, në çdo stinë.
Në një shtet ku krimi vendos në rrugë, në parlament, në qeveri për fatin e qytetarëve.
Në një shtet ku krimi dhe qeveritarët janë një dhe të pandarë, vota është e dënuar me vdekje në rast se nuk shpërthejnë revoltat.
Në rast se nuk ngrihemi në revoltë me këngët tona të lirisë sa herë shqiptarët janjë përballur me pushtues, himni i tyre ka qenë, ja të vdesim ja të rrojmë për liri.
Miqtë e mi, dje Edi Rama i Venezuelës arrestoi liderin e opozitës që fitoi zgjedhjet me 70 përqind. Dje, ai e akuzoi atë për terrorizëm, kryeterroristi i Amerikës Latine akuzoi liderin që e votoi populli i Venezuelës për terrorizëm.
Po Maduro i Tiranës o miq, ka arrestuar liderin e opozitës para zgjedhjeve pikërisht që të firmosë mandatin e krimit i sigurt.
A do lejojmë ne një gjë të tillë? A do e pranojmë ne këtë? Jo, kurrë!
Edi Ramën do e rrëzojmë me forcën e qytetarëve, me trimërinë e qytetarëve, me guximin e qytetarëve. Zgjedhje të lira, zgjedhje të vërteta, ndryshim pushteti.
Kjo është motoja jonë!
Ftoj qytetarët kudo që janë të ngrihen me guxim, t’i japin zemër atij që nuk ka, t’i japin shpresë atij që i mungon dhe t’i përvishemi këtij regjimi që nuk na lë të votojmë.
Këtij regjimi që kërkon të fitojë zgjedhjet me burgje politike. Këtij regjimi që kërkon t’i emërojë opozitës kryetarin dhe e arreston pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, me mercenarë kriminelë si Altin Dumani, Millonai dhe Kraja.
Miqtë e mi, koha është e provës së madhe, e provës më të madhe në 32 vite, e provës se fitores, së shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Edi Rama ka krijuar një mburojë me drejtësinë që kontrollon.
Asnjë krim i tij nuk ndëshkohet. Çdo akt i madh kriminel ndaj votës nuk ndëshkohet, por mbrohet. Përdorimi i bandave kundër qytetarëve për t’u rrëmbyer votën nuk ndëshkohet, por mbrohet.
Krijimi i ushtrisë terroriste elektorale të patronazhistëve nuk ndëshkohet, por mbrohet.
Atëherë çfarë mbetet?
Mbetet zemërimi ynë, mbetet revolta jonë, mbetet përballja dhëmb për dhëmb gjer në fitore. Askush nuk do ketë iluzione se do vijë dikush të na mbrojë votën tonë.
Miq, ne kemi detyrë të shenjtë garantimin e votës së lirë.
Por vota e lirë nuk mbrohet me pushkë, vota e lirë mbrohet duke mposhtur armiqtë e saj të lirë.
Duke mposhtur Edi Ramën, qeverinë e tij.
Ndaj o sot o kurrë, të bashkohemi në betejë vendimtare.
U bëj thirrje demokratëve të lënë mënjanë çdo lloj hatërmbetje dhe u kujtoj një gjë, se energjia, forca, guximi nuk tregohet me njëri-tjetrin, tregohet kundër armikut të përbashkët, kundër armikut të Shqipërisë, kundër armikut të shqiptarëve, kundër armikut të fëmijëve shqiptarë që nuk ushqehen dot për shkak të vjedhjeve të tij.
Kundër armikut të interesit kombëtar të shqiptarëve që sanksionon dhe izolon Kosovën. Kundër armikut që varfëron çdo ditë qytetarët.
Miqtë e mi, mendoni vetëm një moment, në 11 vite, me taksat tuaja janë bërë të ardhura dhe hua në të gjitha buxhetet, në 11 buxhete, 57 miliardë euro.
57 miliardë euro, nga këto 6.7 miliardë është totali i rrogave në 11 vite i shqiptarëve.
Më thoni atëherë, ku shkuan 48 miliardë euro?
Mendoni pak, mendoni se janë 18 përqind e fëmijëve që nuk ushqehen dot me më shumë se një apo dy vakte në ditë.
Mendoni se janë 47 përqind e fëmijëve që nuk shohin mishin me sy. Mendoni se janë qindra mijëra pensionistë që numërojnë kafshatat dhe nuk marrin dot ilaçet. Mendoni se gjendja e të sëmurëve në spitalet tona është vrastare.
Mendoni se në azilet e Shqipërisë si në asnjë vend, si në asnjë novelë, si në asnjë film, të moshuarit lidhen me zinxhirë sikur të ishin qen dhe jo njerëz të respektuar.
Ky është shërbimi i Edi Ramës.
Ndaj dhe sirenat e emergjencës kombëtare bien në të katër anët e vendit.
Kushtrimi për çdo shqiptar ushton në rrugë, sheshet, fshatrat, fushat, malet e këtij vendi. Të gatshëm të ngrihemi të betuar në betejën që na pret gjer në krijimin e qeverisë teknike për zgjedhje të lira.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore!