Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, anëtar i komisionit hetimor “Tahiri” e ka akuzuar mazhorancën se po minon konsensusin që është arritur në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor.
Sipas tij përgjigjet që kanë ardhur nga institucionet e qeverise janë qesharake dhe aspak profesionale.
“Kjo është si pasojë e frymës që përçon ai që e drejton këtë qeveri. Një kryeministër qesharak dhe jo serioz në vendimmarrje, një kryeministër që nuk njeh funksionimin e institucioneve. Kjo qeveri kërkon të bëjë qesharak këtë komision, e cili në fakt është një ndër komisionet më seriozë që është ngritur ndonjëherë pasi heton një çështje shumë madhore, për të cilën shqiptarët kërkojnë transparencë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari.