Grida Duma: Tahiri dhe Rama flasin me kode mafiozësh, dorëheqja e vonuar

Tuesday, 08 May 2018 15:27

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ishte e ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në Neës24 ku foli për mundësinë e çeljes së negociatave me BE, dorëheqjen nga mandati të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe aksionet e opozitës.

Duma akuzoi qeverinë që po shkatërron ekonominë e vendit me pastrimin e parave të drogës.

“Fatkeqësia më e madhe është se nëse vazhdon e nuk ndalohet paraja e trafikimit të drogës, atëherë vend për ekonomi të pastër nuk do të ketë më.

Njerëz që duan të jetojnë normalisht nuk do ketë më. Duhet të ndalet pastrimi i parave të zeza në Shqipëri. Duhet të kalojmë në ekonomi konkurruese për sa i përket bujqësisë, një sektor që mund ta përdornim për mirë në Shqipëri,” u shpreh ajo.

Ajo tha se 8 deputetët e ardhur nga Holanda në Shqipëri e dinë mirë situatën në vend, dhe prandaj janë skepktikë në lidhje me çeljen e negociatave.

“Ne do bëjmë të pamundurën si PD, që qëndrimi ynë është pro hapjes së negociatave. Filozofia e ekonomisë së bashkuar vazhdon edhe sot. çfarë duhet të bëjmë ne që qeveria të rrisë llogaridhënien që duhet t’i japë qytetarëve.

Deputetët e Holandës kanë kërkuar që 5 prioritetet në Shqipëri të jenë tërësisht të aplikueshme.

Vetëm faqet e para të raportit janë motivuese, ndërsa faqet e tjera të progres-raportit janë të njëjta si në vitin 2016. Kemi notën 2.5, që do të thotë nën mesatare.

Dhe fakti që deputetët holandezë janë skeptikë, kjo do të thotë që s’jemi mirë me 5 prioritetet.

I vetmi qëndrim që duhet të mbajmë është të shtyjmë Shqipërinë të hapë negociatat.

Shqipëria ka një problem madhor, ekonomia. Shqiptarët e vuajnë këtë në jetën e përditshme, në Ballkan jemi të fundit në çdo sektor. Ose nuk kemi asnjë sektor të vetëm që të themi që jemi konkurrues.

Jemi në dështim për aq kohë sa mbi 50% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë. As ndërgjegjësimi nuk vlen në varfëri. Nuk luftohet varfëria me ndëshkime. Nuk ka zhvillim.

I pyet për problemet e tyre të qeverisjes, thonë e ka fajin opozita. Nëse i pyet për problem të shtetit, thonë e ka fajin PD. Nuk jemi ne në qeverisje. Përgjegjëse për hapjen e negociatave, është vetëm qeveria,” tha Duma.

Përsa i përket dorëheqjes së Tahirit nga mandati i deputetit, nëse do të ndikojë në hapjen e negociatave, deputetja e djathtë tha se ishte një veprim që duhet të ndodhte kohë më parë.

“Që ishte e shtrënguar kjo nuk diskutohet. Ne e dimë shumë mirë që nëse akuza të tilla vijnë nga organet e hetimit të një vendi anëtar të BE, si Italia, e cila nuk hap çështje kot, kjo duhet të ndodhte me kohë. Tahiri i foli “Shefit” me gjuhë mafiozësh. Tahiri është përdorur. Kemi parë kode mafioze në qeverisje. Dorëheqja mendoj se ishte lëvizje e vonuar,” tha Duma.

Login to post comments