Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon sot një vizitë në Bashkinë e Çorovodës, ku është pritur nga kryetari i Bashkisë dhe qindra banorë. Në këtë vizitë Presidenti Meta shoqërohet nga disa ambasadorë të huaj. “Gëzuar 9 Majin, Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores mbi Fashizmin. Uroj Ditën e Fitores mbi fashizmin nga krahina më antifashiste e Shqipërisë. Skrapari, krahina e parë e Shqipërisë e çliruar nga partizanët. Shpresoj në çeljen e negociatave në muajin qershor. Të punojmë fort e të bashkuar në realizimin e prioriteteve kyçe”, tha në fjalën e tij Meta.
Vizita e Presidentit të Republikës, u zhvillua edhe në kuadër të në ceremonisë së hapjes së Sezonit Turistik në Bashkinë Çorovodë.
“Kënaqësi që turizmi në Skrapar po zhvillohet me rritje të shpejta. E ardhmja e Skraparit mbështet fort tek turizmi. Të promovojmë bukuritë e zonës. Promovim potencialeve dhe resurseve turistike të zonës, nga vlerat e kulinarisë të ushqimeve bio e deri tek të pakrahasueshmet Kanionet e Osumit, si pasuri kombëtare unikale dhe me vlera të jashtëzakonshme turistike. Sportet rekreative si rafting shërbejnë si reklama më e mirë për turistët vendas dhe të huaj të cilët pasi eksplorojnë për herë të parë këto bukuri mahnitëse duan të rikthehen sërish. Bujqësia, Turizmi, agro-turizmi dhe industria e lehtë përpunuese janë sektorë vitalë për të mbështetur ekonomitë familjare dhe punësimin e qytetarëve të zonës”, tha ai