Deklaratë e plotë e Bashës
6 ditë më parë, kur Sajmir Tahiri njoftoi lënien e mandatit, paralajmëruam se kjo ishte bërë në marrëveshje me Edi Ramën sipas një pakti mafioz: Saimir Tahiri do të heshtë për gjërat që di mbi rolin dhe përfshirjen e drejtëpërdrejtë në trafikun e drogës të Edi Ramës dhe Olsi Ramës, ndërkohë që Edi Rama do t’i siguronte Tahirit paprekshmërinë nga drejtësia.
Mbrëmë Edi Rama shpalli në media urdhrin e tij ndaj prokurorisë, kur deklaroi publikisht se nuk ka prova për ta dënuar Sajmir Tahirin dhe se ai kishte punuar mirë.
Por nuk u ndal me kaq. Sot kamikazja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme, njoftoi shkarkimin e Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, drejtuesin e prokurorëve që hetojnë Saimir Tahirin. Ai është zëvendësuar nga një tjetër kamikaze e Edi Ramës.
Shkarkimi i Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, i kryer me urdhër direkt të Edi Ramës,:
- vjen vetëm pak ditë pas mbërritjes së materialeve hetimore nga Greqia dhe Italia
- vjen vetëm pak ditë pasi prokuroria mori në pyetje shoferin e Saimir Tahirit dhe vendosi të thërrasë edhe vetë këtë të fundit.
- vjen ditën kur prokuroria nuk kishte më nevojë për autorizimin e Edi Ramës dhe maxhorancës së tij socialisë për të arrestuar Saimir Tahirin, pasi KQZ konfirmoi heqjen e mandatit të tij si deputet.
Ky shkarkim vjen, gjithashtu sot, ditën kur Partia Demokratike denoncoi mbështetjen që Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ka dhënë dhe i jep vëllait të tij Agron Xhafaj, duke mos e arrestuar edhe pse është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në Itali si kreu i një bande ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
A është shkarkuar Hajdarmataj se në dosjen hetimore po mblidheshin të tjera prova te mjaftueshme për Tahirin dhe lidhjen e tij me Ramën?
A është emëruar prokurorja e re për të shkatërruar këto prova për Tahirin qoftë edhe duke e dorëzuar Sajmir Tahirin në mënyrë të kontrolluar tek drejtësia? Që do të thotë e arrestojmë për sy e faqe dhe pastaj e shpallim të pafajshëm duke shkatërruar çdo provë.
Një gjë është e sigurtë: Edi Rama po bën gjithçka të shpëtojë Tahirin.
Kjo është arsyeja se pse shkarkimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe emërimi i kamikazes së re të Ramës janë bërë në shkelje flagrante të ligjit. Prokurori i Pergjithshëm i Përkohshëm nuk ka të drejtë të emërojë dhe as të shkarkojë drejtues prokurorie.
Neni 160 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ia ndalon Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm që të marrë vendimin që ka marrë sot. Ky është një vendim i paligjshëm, për të cilin prokurorja e Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore.
Ndërkohë Kushtetuta ndalon çdo lloj emërimi në prokurori pa kaluar më parë vetingun.
Por vendimi nuk është i Arta Markut. Vendimin është i Edi Ramës që kontrollon plotësisht Arta Markun. Donika Prela është thjesht shërbëtore, e cila sikurse Arta Marku, po emërohet për të mbrojtur interesat kriminale të Edi Ramës, Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit dhe politikanëve të lidhur me krimin, pasi ka dhënë më parë prova të besueshme për këtë.
Me këtë akt të paligjshëm tani e gjithë struktura e prokurorisë është nën kontrollin e plotë dhe në shërbim të plotë të Edi Ramës.
Detyra e parë që i është ngarkuar dyshes Marku - Prela nga dyshja Rama-Xhafa tani është mbrojtja e Saimir Tahirit, mbrojtja e Agron Xhafës dhe Olsi Ramës, mbrojtja e trafikut të kokainës dhe heroines, që po pushton Shqipërinë.
Partia Demokratike e denoncoi që në Dhjetor 2017, se emërimi pa vetting, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin I Arta Markut, u bë për të futur nën konktroll politik organin e prokurorisë në tërësi dhe çështjet e nxehta të kësaj qeverie në veçanti.
Sot ky fakt u provua.
Prokuroria vendosi sot përfundimisht të jetë në krah krimit të organizuar dhe jo përballë tij. Sot shqiptarët e kanë edhe më të qartë se Kryeprokuror dhe Kryegjyqtar është vetë Edi Rama. Të tjerët, duke nisur nga Arta Marku dhe Donika Prela, janë instrumenta kriminalë, vegla të bindura të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëeve të tij kriminelë e trafikantë droge.
Prandaj edhe vendimi i sotëm i dyshes Rama-Marku për shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është një lajm i keq për drejtësinë e reformuar që prisnin shqiptarët. Është fitore për krimin e organizuar, për trafikantët e kokainës dhe heroinës mbi drejtësinë dhe njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.
Qeverisja sot është e kapur nga krimi. Prokuroria sot është e kapur dhe në shërbim të interesave kriminale. Liria, drejtësia dhe demokracia sot në Shqipëri janë nën mëshirën e krimit dhe eksponentit të tij në qeverisje, Edi Ramës.
Ky është lajmi më i zi që mund t’u jepej shqiptarëve në Ditën e Europës: reforma në drejtësi ka rënë, krimi i organizuar ka triumfuar mbi shtetin e së drejtës dhe shqiptarët e zakonshëm.