Provat e dëmeve që na ka sjellë Tahiri, s’kemi pse i presim nga Katania!

E Enjte, 10 May 2018 17:05

Nga NIKOLLAQ NERANXI

Po ndiqja dy ditë më parë Kryeministrin Rama, në një program televiziv dhe me të vërtetë u ndjeva shumë i zhgënjyer dhe i neveritur nga fakti se si Rama përpiqet ta mbrojë Tahirin sa herë i jepet mundësia.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri nuk ka asnjë provë të vetme për implikimin e Saimir Tahirit në trafikimin e kanabisit”, – u shpreh Rama, ndërkohë që shtoi se: “Tahiri ka bërë edhe punë të mira gjatë qëndrimit të tij 4 vjet si ministër i Brendshëm”.
Përpjekja e madhe që po bën Kryeministri për të bindur opinionin publik se Tahiri është i pastër, shton akoma më shumë dyshimet se mëkatet e Saimirit nuk janë vetëm të tij. Kur dëgjoja Ramën teksa rrekej të na bindte, m’u kujtua një sondazh që bëhej para ca vitesh në Gjermani, ku kishte akoma njerëz, të cilët mendonin se Hitleri kishte qenë kriminel për hebrenjtë dhe i mirë, në disa raste, për gjermanët! Pra, edhe ai kishte bërë ca punë të mira!!! Në fakt, cila është njësia matëse e punës së një ministri, sipas pohimeve të Ramës? Si mundet një Kryeministër të përdorë logjikën e gotës së mbushur përgjysmë, që dikush e sheh gjysmë bosh e dikush tjetër gjysmë plot?
Si mund të bësh interpretime subjektive për punën e një njeriu me përgjegjësi kaq të mëdha në qeverisjen e një vendi? Sa herë duhet të gabojë dikush për t’u ndëshkuar? Nëse kërkon sot mendimin dhe perceptimin e shumë qytetarëve, kryesisht më profil intelektual, të cilët ndjekin aktualitetin dhe bëjnë disa analiza, shumica mendojnë se Tahiri nuk do të dënohet. Sot ka vetëm një proces të hapur ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Emri i tij ka dalë në përgjimet e Prokurorisë së Katanias, bërë grupit të Habilajve, (kushërinjve të Tahirit), të cilët lëviznin me makinën e tij. Drejtësia shqiptare pret nga ajo italiane, nëse ka prova që Tahiri është i implikuar në këtë trafik apo jo.
Dhe nëse Italia nuk sjell prova, Tahiri do ia hedhë pa u lagur dhe në sytë e opinionit publik, do të jetë njeriu që i ramë në qafë, sepse nuk paska pasur asnjë faj! Në fakt, a ka ndonjë faj apo përgjegjësi ishministri i Brendshëm për mbjelljen e gjithë Shqipërisë me hashash? A ka ndonjë përgjegjësi ish-ministri i Brendshëm, për shefat e Komisariateve të përfshirë në trafik, të cilët ikën pak orë para se të dilte urdhërarresti për ta? Pra, kur një institucion degradon në këtë mënyrë, drejtuesi nuk paska asnjë faj?!
Por shoku i Tahirit, Rama, thotë se ministri ka punuar mirë dhe në fakt, me këtë fjali, ne të gjithë kuptojmë se sa shumë po investohen këta të dy për të mbajtur njëri-tjetrin. Personalisht jam përballur disa herë me Policinë e Tahirit, gjatë kohës kur ai e ndjente veten të fortë dhe të pamposhtur si ministër. Shefi i Komisariatit të Kuçovës, Vojo Peçi, më ofendoi dhe më kërcënoi rreth 4 vite më parë, pranë shtëpisë sime në Porto Palermo dhe bashkë me disa të tjerë, për të cilët do kem rastin të them më shumë detaje në një kohë tjetër, luftuan shumë që të më përzinin nga ai vend.
Më vonë, siç e dini të gjithë, u mësua se Porto Palermo paska qenë një nga pikat ku transportohej drogë dhe siç ka dalë edhe nga disa përgjime, si punëtorë ngarkimshkarkimi përdoreshin edhe policët, madje aty ishte vendi ku fikeshin edhe radarët. Pak kohë më vonë, më erdhën në kompani dhe më grabitën me maska, dhe, policët e lajmëruar erdhën 35 minuta me vonesë. Makina me të cilën u bë grabitja e kompanisë time, u pa para Drejtorisë së Policisë pak minuta më vonë. Kur unë i denoncova këto ngjarje publikisht, erdhën dhe më arrestuan në mes të një eventi në kompani, sepse, sipas tyre, disa klientë kishin parkuar keq!!!
Të gjitha këto ishin presione të një policie të inkriminuar, e cila merrte zemër nga drejtuesit. Atëherë, pse duhet të pres unë të vijë ndonjë provë nga Katania për Saimirin, kur vetë e kam provuar në kurriz sesi e kriminalizoi ai institucionin që drejtoi? Po ç’nevojë kemi ne të presim Katanian për prova, kur kemi provën më kokëfortë të mbjelljes së Shqipërisë cep më cep me kanabis? A ka provë më të fortë sesi paratë që u fituan nga ky trafik, u futën të gjitha në ekonominë shqiptare duke na dëmtuar bizneset dhe duke prishur rregullat e konkurrencës?
Prandaj, në këto kushte, ku ne shohim shumë tentativa për ta mbyllur këtë histori, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, me kryetar Nikollaq Neranxin, ka vendosur që për këtë dëm të madh ekonomik që i ka sjellë biznesit mbjellja e drogës, trafikimi dhe injektimi i këtyre parave të pista në biznes, si dhe krijimin e klimës së pasigurisë nga rritja e kriminalitetit, të padisë penalisht ish-ministrin Tahiri, si fajtorin e këtij dëmi kaq të madh ekonomik, social, psikologjik etj. Vetëm kështu mund të na rikthehet shpresa që ky vend mund të bëhet dhe kush gabon, duhet të përballet më pasojat./panorama.al

Login to post comments