Shkarkimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmatajt ditën e djeshme, ishte prova më e qartë se kryeministri Edi Rama, tashmë ka nënkontroll edhe kryeprokuroren Arta Markun. Pasi mori urdhër nga Rama, Arta Marku disa muaj më parë la Shkodrën për të ardhur në Tiranë, dhe tashmë ajo po zbaton pikë e presje skenarin që kishte në kokë kur e zgjodhi në këtë detyrë. Nën flakët e tymueseve të hedhur nga opozita, që donte të pengonte kapjen e institucionit më të lartë të akuzës, dhe nën çadrën e gardistit, Marku tha një ‘betohem’ të mekur dhe u largu, për t’u kthyer të hënën në zyrën e re për të vënë në jetë planin që ia kishte thënë Rama.
Me të marrë detyrën, punën e parë që bërë, ishte lëvizja e disa prokurorëve, për të cilët mazhoranca i kishte cilësuar si kundërshtarë, pasi në disa raste kishte nisur të hetonte për korrupsionin në zyrat e shtetit. Rama tashmë ishte i qetë se me Markun kryeprokurore, kishte në dorë edhe fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit. Lëvizja e parë lidhur me këtë çështje, ishte lirimi i biznesmenit Orest Sota, njeri i afërt i Tahirit, i cili u vu në pranga disa muaj më parë pasi në makinën e tij, u gjetën 863 mijë euro si dhe dy patenta skafi të ish-ministrit të Brendshëm. Edhe pse dosja po hetohej nga Krimet e Rënda, Marku nën komandën e Ramës po bëhej gjithnjë edhe më shumë pengesë për dosjen e trafikut të drogës të grupit të Habilajve, ku pjesë e tij ishte Tahiri. Qëllimi i Ramës ishte të mbronte Tahirin, dhe jo se i dhimbsej se e ka pasur bashkëpunëtor, por se ai vuri në zbatim planin e kanabizimit të Shqipërisë, i cili ishte hartuar nga kryeministri me qëllim blerjen e zgjedhjeve të një viti më parë.
I vetmi ishull që kishte ngelur pa u kapur nga Rama me mashën e quajtur Arta Marku, ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda. Shkarkimi i Besim Hajdarmatajt, i cili kishte kërkuar disa muaj më parë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, erdhi në një kohë që Tahiri la mandatin. Dhe ka disa arsye pse ky vendim u mor pikërisht në këtë kohë, ku më kryesorja është ajo se përfshirjes së Ramës në trafikun e drogës. Dy ditë pas Tahiri hoqi dorë nga mandati, u mor në pyetje njeriu më i besuar i Saimir Tahirit, shoferi i tij, Gent Caka. Në këto kushte, duke iu druajtur një arrestimi të beftë të Tahirit dhe më pas një marrëveshje të mundshme të tij me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të zbërthyer plani e Ramës për kanabizimin e Shqipërisë, ai urdhëroi shkarkimin e Hajdarmatajt.
Rama tha me gojën e tij, teksa fliste në Kuvend, se ishte ai që kishte dhënë urdhër për shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kryeministri u shpreh se ai nuk ka lidhje me këtë lëvizje, por doli blof kur tregoi se lëvizja e tij ishte bërë pasi, Hajdarmataj nuk kishte hetuar pronarin e kompanisë ‘Arbri Garden’, që u sekuestruar 613 kg kokainë. Me këtë deklaratë, Rama pranoi edhe një herë se ka marrë nën kontroll Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe ka nisur punën për prishjen dhe kontrollin e provave për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. /55News.al/