Hepatiti C, rrugët e transmetimit dhe parandalimi

E Enjte, 26 Prill 2018 13:33

Në shumë raste ky hepatit zhvillohet për dekada pa asnjë shenjë dhe shkatërron mëlçinë

Hepari (mëlçia) është organi më i madh i organizmit, i lokalizuar nën harkun brinjor të djathtë dhe që është përgjegjës për 500 funksione vitale. Në të përpunohet çdo gjë që ne marrim nga ushqimi, nga frymëmarrja dhe nga absorbimi nëpërmjet lëkurës. Mëlçia konverton substancat  tona ushqimore në energji dhe ndërton muskujt, hormonet, faktorët e koagulimit dhe faktorët e imunitetit. Në të magazinohen shumë vitamina, minerale dhe glukozë për t’u përdorur më vonë si energji. Qelizat e mëlçisë (hepatociet) prodhojnë bilen ose lëngun e tëmthit, një lëng shumë i rëndësishëm për absorbimin (përthithjen) e nutrientëve, sidomos yndyrave. Mëlçia luan rol edhe në detoksifikimin e substancave të dëmshme për organizmin. Duhet thënë që mëlçia ka aftësi auto-rigjeneruese, domethënë ajo ka aftësi të riparojë dëmtimet nëse këto dëmtime kapen në situatë të hershme.

Hepatiti është një term i përgjithshëm që nënkupton inflamacionin e mëlçisë. Mëlçia mund të inflamohet si rezultat i një infeksioni viral,  i një çrregullimi të sistemit imunitar, ekspozimit ndaj alkoolit, medikamenteve, toksinave ose helmeve si dhe për shkak të dhjamosjes. Kështu qe hepatiti C është inflamacioni i mëlçisë me virusin e hepatitit C (HCV), ashtu sikurse virusi i hepatit B shkakton hepatit B, virusi A shkakton hepatit A, virusi D shkakton hepatit D.

Rrugët e transmetimit

Hepatiti C përhapet nga kontakti i gjakut me gjakun e infektuar. Rrugët e transmetimit  përfshijnë përzierjen e ageve për injeksione, për tatuazhet, akupunktura dhe për teknika të tjera mjekësore. Gjithashtu përzierja e mjeteve personale si furçat e dhëmbëve, brisqet e rrojës, mjetet e higjienës së thonjve mund të jetë një rrugë tjetër e transmetimit atëherë kur janë të pranishme plagët që gjakosin.

Para vitit 1992 shumë njerëz janë kontaminuar me virusin e hepatitit C nëpërmjet  transfuzionit të gjakut. Por në këtë vit u bë i disponueshëm testi për identifikimin e antitrupave HCV.  Që nga ajo kohë gjaku për  transfuzion filloi të depistohet, pra të kontrollohet. Një përqindje e vogël  e njerëzve (1-3%) bien në kontakt me hepatitin C nëpërmjet kontaktit seksual të pambrojtur. Në të ashtuquajturit  “grup i riskut” (personat me aktivitet seksual me shumë partnerë) rruga seksuale e transmetimit mund të jetë më e shpeshtë. Punonjësit e shëndetësisë gjithashtu janë të riskuar nga HCV nëpërmjet shpimit  aksidental me aget e përdorura tek personat e infektuar.

Transmetimi nga nëna tek fëmija gjatë dhe pas lindjes është i mundur në rreth 5%. Nëse transmetimi ndodh ose jo, kjo varet nga prezenca e niveleve të larta të HCV në gjakun e nënës. Rruga e transmetimit për 10 % të personave të infektuar ngelet e pazbuluar. Transmetimi i Hepatitit C nuk ndodh nga kontakti rastësor me persona të ftohur, me kollë, as nga përqafimi apo përdorimi i enëve të kuzhinës.

Parandalimi

Nga sa thamë në lidhje me rrugët e transmetimit, kuptohet që nuk duhet të përziejmë mjetet personale si furçat e dhëmbëve, brisqet e rrojës, dhe sende të tjera vetjake që mund të jenë në kontakt me gjakun. Gjithashtu duhet të jemi të sigurt në përdorimin e mjeteve që përdoren për tatuazhe, body piercing, akupunkturat, në mënyrë që të jenë të disinfektuara ose një përdorimshe. Duhet të mbulojmë çdo plagë të trupit që mund të shërbejë si plagë hyrëse për virusin. Për të reduktuar riskun nëpërmjet  transmetimit seksual të këtij infeksioni, marrëdhëniet seksuale duhet të jenë të sigurta nëpërmjet  përdorimit  të kondomëve. Higjiena e rregullt dentale mund të parandalojë hemorragjinë gingivale, që është një tjetër mundësi infektimi.  Njoftoni mjekun, dentistin ose punonjës të shëndetit nëse ju keni hepatit C (HCV).  Nëse jeni një grua me hepatit C, duhet të flisni me mjekun kur mendoni për një shtatzëni të ardhshme.

Progresi ose ecuria që ka infeksioni me virusin e hepatitit C

Pas ekspozimit me virusin e hepatitit C, ekziston një periudhë gjatë së cilës nuk ka asnjë evidencë biologjike për infeksionin dhe që zgjat 2-26 javë. Faza fillestare e hepatitit C quhet hepatit akut, që zakonisht zgjidhet pas 2-12 javësh. Më shumë se 80% e njerëzve të infektuar me hepatit C nuk mund ta eliminojnë virusin nga organizmi dhe kështu ata bëhen të infektuar kronikë. Shumica e njerëzve me HCV kronik nuk kanë simptoma dhe bëjnë një jetë relativisht normale. Por në 10-25% sëmundja progreson në një periudhë 10-40 vjeçare, pra ka një ecuri të gjatë kohore. Kështu që hepatiti kronik C mund të çojë në shkatërrim të mëlçisë, me zhvillim të indit fibroz, të indit dhjamor, në cirrozë dhe në kancer të mëlçisë.

Cirroza e mëlçisë është një proces që  karakterizohet nga dëmtimi i qelizave dhe zëvendësimi me qeliza të dëmtuara. Këto formacione të shtuara qelizash të rrënuara dëmtojnë fluksin e gjakut nëpër mëlçi, duke shkaktuar vdekjen e qelizave të tjera dhe humbjen e funksionit të mëlçisë.

Cirroza e kompensuar ka të bëjë me dëmtim të rëndë të mëlçisë, por ajo ende mund të performojë ose të realizojë funksionet e saj. Personat me cirrozë të kompensuar paraqesin pak ose aspak simptoma.

Cirroza e dekompensuar nënkupton dëmtimin ekstensiv të mëlçisë, të pa mundur të kryejë funksionet  e saj. Personat me cirrozë të dekompensuar shpesh zhvillojnë komplikacione të tilla si rritje të presionit në venat që çojnë gjakun në mëlçi (hipertension portal), variçe të ezofagut dhe stomakut (tendosje dhe dobësim të enëve të gjakut) që çon në hemorragji të brendshme apo asit, që është grumbullimi i lëngjeve në kavitetin abdominal, dhe shumë gjendje të tjera me potencial kërcënues për jetën. Gjithashtu këta të sëmurë mund të provojnë konfuzion mendor të rikthyeshëm.

Kanceri i mëlçisë zhvillohet në etapa të vonshme të infeksionit nga hepatiti C, zakonisht pas 25-30 vitesh.  Tipi i kancerit që shoqëron infeksionin kronik nga hepatiti  C quhet karcinoma hepatoqelizore primare./Shendeti/

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tensionet në Kuvend/ Kryemadhi: Lindita Nikolla si mercenare e Edi Ramës

Politikë

Tensionet në Kuvend/ Kryemadhi: Lindita Nikolla si mercenare e Edi Ramës

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi nga jashtë sallës së Kuvendit foli për kaosin që përfshiu sot seancën plenare. Ajo sulmoi ashpër kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla duke thënë se...

SPAK në lëvizje për të prodhuar lajm/ Shkëlzen Berisha flet pas dëshmisë

Politikë

SPAK në lëvizje për të prodhuar lajm/ Shkëlzen Berisha flet pas dëshmisë

Nuk është mbyllur akoma muaji i parë i vitit dhe Edi Rama ka regjistruar kaq shumë skandale brenda pak ditësh, që do kishin rrëzuar dhjetë herë një qeveri kudo. Por ndërsa...

Gazetarja e VOA: McGonigal s'është pyetur akoma për takimet me Ramën

Politikë

Gazetarja e VOA: McGonigal s'është pyetur akoma për takimet me Ramën

Zyrtari i lartë i FBI-së Charles McGonigal është deklaruar i pafajshëm në seancën e parë në gjykatë. Kështu deklaroi gazetarja e Zërit të Amerikës Keida Kostreci në një lidhje me...