Një fëmijë afgan po mbahet i izoluar në Spitalin e Sarandës, pasi fillimisht është dyshuar për koronavirus për shkak të temperaturës së lartë që ka pasur gjatë kontrollit.
Burimet policore thonë se ai është gjendur mes një grupi prej 15 afganësh që kanë hyrë nga Greqia në Shqipëri dhe janë ndaluar pranë pikës kufitare të Qafë Botës.
Mes tyre ka qenë dhe fëmija 15-vjeçar, i cili në momentin e verifikimit nga ekipi mjekësor, ai ishte me temperaturë 38.2. Menjëherë, ai është marrë veç nga të tjerët dhe është izoluar në një dhomë në spitalin e Sarandës, ku janë kryer procedurat dhe i janë marrë kampionët, që janë dërguar për analiza më të hollësishme në Tiranë.
Aktualisht fëmija po mbahet i izoluar në një dhomë të veçantë spitalin e Sarandës, ndërkohë që mësohet se me rastin është marrë Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik.
Drejtori rajonal, Arjan Kalcuni shpjegoi për SYRI TV se rasti në fjalë është konstatuar fillimisht nga grupet e kontrollit dhe menjëherë është izoluar. Por sipas tij nuk paraqet rrezikshmëri për disa arsye, edhe pse janë kryer të gjitha procedurat.
Ai theksoi se pas disa orësh, atij i ka rënë temperatura në 37.2, që largon dyshimet për koronavirus, ndërkohë që nga informacionet e marra pranë policisë ka rezultuar se grupi i afganëve kishte rreth një muaj që qëndronte në Greqi, gjë që minimizon mundësinë të jenë infektuar.
Gjithsesi, sipas drejtorit Kalcuni, analizat mund të dalin që nesër dhe se nuk beson për një kontaminim të mundshëm.