Raporti i KLGJ/ Shtohet “mali i dosjeve” në Gjykata. Duhen 8 vjet për një vendim Apeli

E Enjte, 16 May 2024 13:57
Nga Boldnews.al
 

Ndërkohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) shpreson se Harta e Re dhe e sforcuar Gjyqësore të zbusë disi kolapsin në drejtësi, shifrat e raportuara nga ky institucion për vitin 2023 tregojnë se “back-logu” i dosjeve të mbartura në të treja shkallët po i merr frymën gjykatave dhe po vonon ndjeshëm dhënien e vendimeve për qytetarët.

Shifrat e raportuara nga KLGJ në Parlament për vitin e kaluar tregojnë se ka një ulje minimale të ngarkesës së dosjeve në Gjykatën e Lartë, por ndërkohë është rritur ndjeshëm volumi i çështjeve të pashqyrtuara në nivel Apeli.

Nga ana tjetër, vijon të mbetet shumë e gjatë koha e dhënies së vendimeve për qytetarët, madje edhe për ato çështje të thjeshta civile.

Situata në sistemin e drejtësisë vijon të jetë e rëndë, sidomos pas nisjes së zbatimit të Vetingut, një proces i shoqëruar me dyshime për paaftësi të trupave rivlerësuese, ndikime të rëndësishme politike dhe standarde të shumëfishta. 

Këshilli i Lartë Gjyqësor numëron se, nga nisja e procesit të rivlerësimit kalimtar e deri në fund të vitit 2023, janë larguar nga sistemi i drejtësisë 137 gjyqtarë me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nga të cilët 89 me vendim të formës së prerë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Këto mungesa të shumta kanë ndikuar në uljen e efiçensës gjyqësore në nivele minimale, të panjohura më parë.

Harta gjyqësore-çelës i ndryshkur

Në Korrik të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për “riorganizimin e rretheve gjyqësore”, i njohur edhe si Harta e Re Gjyqësore.

Ky zhvillim u konsiderua si “çelësi” për çlirimin e gjykatave nga mali i dosjeve.

Në bazë të këtij vendimi, u reduktua numri i gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm nga 22 në 13 të tilla, të cilat nisën punë në 1 maj 2023.

Po ashtu, nga 6 gjykata apeli të juridiksionit të përgjithshëm, u reduktuan në një të vetme, në Tiranë. Ulje pësuan edhe gjykata administrative, të cilat nga 6 që ishin para hartës së re gjyqësore, u mblodhën në 2.

Këshilli i Lartë Gjyqësor

Qeveria dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, të cilët bashkëpunuan për këtë hartë, nuk e pranuan asnjëherë publikisht se ky vendim ishte i nxitur nga ulja e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve në të gjithë nivelet, si pasojë e Vetingut.

Pas miratimit të Hartës, u premtua publikisht se do të ulej numri i stokut të dosjeve dhe do të përshpejtohej procesi i dhënies së drejtësisë.

Por, të paktën deri më tani, efektet e kësaj Harte janë të padukshme ose, më së paku, të papërfillshme.

Stoku në Gjykatën e Lartë

Në fillim të vitit 2023, stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë ka qenë 31.827 dosje gjyqësore të mbartura nga vitet e kaluara. Ndërkohë, sipas shifrave të raportuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, deri në fund të vitit të kaluar, stoku është ulur me 4.239 dosje gjyqësore.

Por, duke mbajtur në konsideratë se gjatë vitit 2023 janë regjistruar 2145 dosje të reja, ulja e ngarkesës së gjyqtarëve të lartë është fare minimale.

Raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor për stokun në Gjykatën e Lartë për vitin 2023

Aktualisht, Gjykata e Lartë po shqyrton rekurset për çështje civile të dorëzuara në vitet 2015-2016 dhe ato penale, të dorëzuara në 2019-2020. Gjë që do të thotë se rekurset e reja do të duan të paktën 5 vjet që të merren në shqyrtim.

Stoku në Gjykatën e Apelit

Harta e re gjyqësore u nxit nga ulja me shpejtësi e numrit të gjyqtarëve në nivel Apeli. Pika kulminante arriti kur gjykata Apeli, si ajo e Korçës, e Gjirokastrës dhe e Vlorës, nuk mund të krijonin trupat gjykuese.

Për këtë arsye, gjyqtarët e mbetur u mblodhën të gjithë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, me shpresën se do të krijoheshin premisat për dhënien e drejtësisë në një kohë sa më të arsyeshme.

Qëllimi i shprehur është shumë larg realizimit, të paktën deri më tani.

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm e ka nisur vitin 2023 me një stok prej 31.700 dosjesh. Ndërkohë që në fund të vitit 2023 ishin 37,662 çështje që presin të shqyrtohen, duke shënuar një rritje prej gati 6 mijë dosjesh të reja.

Vërehet se, në krahasim me vitin e mëparshëm, ka ulje të vlerës së Normës së Zgjidhjes së Çështjeve (Treguesi CR). Norma e likuidimit të çështjeve civile nga viti 2022 në vitin 2023 është ulur me 38 %, si dhe penale nga viti 2022 në vitin 2023 është ulur me 12.1%”, thuhet në raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

KLGJ raporton se Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm thelloi stokun e dosjeve

Në analizë të këtyre të dhënave, KLGJ konstaton se “Gjykata e Apelit nuk ka arritur të përballojnë fluksin e çështjeve të reja të regjistruara, duke thelluar gjendjen e stokut të trashëguar”.

Ndërkohë, kjo situatë stoku ka ndikuar drejtpërdrejtë në kohë-zgjatjen e dhënies së drejtësisë. “Koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve, sipas llogarive të KLGJ-së, është 2790 ditë”, ose afërsisht 8 vjet.

Gjykata e shkallës së parë

Referuar përllogaritjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, një çështje civile në gjykatat e shkallës së parë shqyrtohet mesatarisht për 272 ditë, ndërsa një çështje penale për 141 ditë.

Këto shifra, megjithëse duken shumë optimiste krahasuar me realitetin, sërish shënojnë zgjatje të kohës për vendimmarrje, krahasuar më së paku me një vit më parë.

Prej përkeqësimit të parametrave të efiçencës dhe uljen e rendimentit të punës së gjyqtarëve, kemi rritje të stokut të dosjeve me 8 përqind, krahasuar me vitin 2022. Kjo rritje do të ndikojë negativisht edhe në statistikat për vitin 2024…”, thuhet ndër të tjera në raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

KLGJ konstaton përkeqësim të gjendjes së stokut të dosjeve në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm

Statistikat tregojnë se, “në 31 dhjetor 2023 mbeten në pritje të gjykimit 44,181 çështje, në gjykatat e shkallës së parë të juridikisionit të përgjithshëm”.

Përsa i përket ngarkesës në punë, mesatarja është është 547 dosje për gjyqtar. Por, ky tregues ndryshon nga gjykata në gjykatë. Përshembull, në Gjykatën e Elbasanit, një gjyqtar ka në shqyrtim mesatarisht 1349 çështje, ndërsa në Tiranë mesatarisht 1176 çështje dhe Durrës 1011 dosje.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...