Të tjera detaje dalin në dritë nga shpërthimi me eksploziv që ndodhi gjatë natës në Lazarat.
Mësohet se shënjestra e sulmit, ishte banesa e Adem Selimit. Ky i fundit është babai i Klodian Selimit, një nga personat e dënuar me 13 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha.
Ngjarja në fjalë ndodhi më 24 qershor 2015 në Lazarat ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mes grupit të zjarrit dhe policisë, mbeti i vrarë efektivi Basha. Por a ka lidhje ngjarja e 3 viteve më parë me shpërthimin që ndodhi dje gjatë natës, rreth 02:30.
Deri më tani nuk dihet nëse bëhet fjalë ndonjë hakmarrje lidhur me këtë ngjarje, apo bëhet fjalë për një tjetër konflikt. Kujtojmë se Klodian Selimi është një personat e grupit të zjarrit, që bashkëpunoi me Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes, ku humbi jetën oficeri i RENEA-s. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga shpërthimi i djeshëm, u shkaktuan vetëm dëme materiale, pasi një kallëp tritoli u vendos në derën e oborrit. /BW