Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ngjarje kjo e datës 29 mars, vazhdon të mbetet një zhvillim me shumë të panjohura, jo vetëm për opinionin publik, por edhe për krerët e shtetit dhe institucionet më të larta të Kosovës.
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ende nuk ua ka dorëzuar raportin rreth këtij rasti institucioneve më të larta vendore.
Përveç një raporti informues, të cilin deri më tani e ka prezantuar vetëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, institucionet tjera vazhdojnë të pohojnë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar rreth asaj se si ndodhi që Kosova deportoi gjashtë shtetasit turq, të cilët deri në ditën e dëbimit, kishin leje valide qëndrimi në Kosovë.
Të premten, pritej që zëvendësshefi i Agjencisë së Inteligjencës, Latif Merovci të raportojë para Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së, por ky raportim nuk ndodhi. Ishte hera e katër që ky Komision kishte kërkuar këtë raportim.
Kryetarja e Komisionit, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se po bëhet e pamundur të ketë një kontroll ligjor demokratik mbi Agjencinë e Inteligjencës.
“Komisioni unanimisht konstaton që nuk jemi duke mundur ta zhvillojmë kontrollin demokratik apo anën ligjore të kontrollit demokratik mbi AKI-në. Ne do të mundohemi që në bazë të kompetencave që i kemi, bashkërisht të gjejmë rrugë për të funksionuar si komision dhe për të marrë përgjigje nga institucionet përgjegjëse”, tha deputetja Musliu.
Në ditën e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, si një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova, jo vetëm deputetët, por edhe presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kishin deklaruar se nuk kishin njohuri rreth këtij rasti.
Si kundër reagim, kryeministri Ramush Haradinaj më pas pati liruar nga detyra ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e AKI-së, Driton Gashi. Në bazë të një rezolutë të miratuar nga Kuvendi, pas një seance të jashtëzakonshme, është iniciuar edhe formimi i një komisioni hetimor parlamentar për t’i ndriçuar rrethanat e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.
Të gjashtë shtetasit turq u arrestuan dhe u dëbuan me një aeroplan të Shërbimit të Inteligjencës Turke më datë 29 mars vetëm pak orë pasi u arrestuan nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Pesë prej personave të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.
Ankaraja i ngarkon ata me dyshimin se janë anëtarë të organizatës Hizmet të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim puçi në korrik të vitit 2016./REL