Prokurorët e Kombeve të Bashkuara kanë kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për ish-udhëheqësin e serbëve në Bosnjë, Radovan Karaxhiç, pasi akuzohet për genocid.
Në të gjithë burgjet e botës nuk ndodhet një kriminel kaq i tmerrshëm dhe gjakatar sa Karaxhiç, fakt i cili ka shtyrë gjykatën e Hagës të kërkoj dënimin maksimal për këtë rast.
Prokurorja Katrina Gustafson, para një paneli prej pesë gjyqtarësh të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në Hagë, ka thënë se Karaxhiç ka “abuzuar fuqinë e tij për të derdhur gjakun e viktimave të panumërta” gjatë luftës në Bosnjë, që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve 90-të.
“Drejtësia kërkon që ai të marrë dënimin më të lartë të mundshëm – burgim të përjetshëm”, u shpreh Gustafson.
Në mars të 2016-ës, Karaxhiç është shpallur fajtor për dhjetë akuza që lidhen me mizoritë e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 1992-95 dhe është dënuar me 40 vite burgim.
Ky kriminel është dënuar për genocid, lidhur me rolin e tij në Masakrën e Srebrenicës, ku rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë. Ngjarje e cila konsiderohet si masakra më e rëndë në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore.
Lufta në Bosnjë mori jetën e mbi 100 mijë personave dhe rreth 2.2 milionë të tjerë, u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.
Karaxhiç ka kërkuar rigjykim apo lirim nga akuzat.