Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, Yi Gang nënshkruan rinovimin e marrëveshjes dypalëshe SWAP për monedhat përkatëse, në shumën maksimale prej 2 miliardë Yuan, ose 34.2 miliardë Lekë.
“Marrëveshja e re, sikurse ajo paraardhëse, është e vlefshme për një kohëzgjatje trevjeçare, e cila fillon nga data e nënshkrimit të saj”, thuhet në njoftimin për shtyp të BSH.
Transaksioni SWAP, që mundëson marrëveshja, ofron një instrument përmes të cilit banka qendrore ka akses në monedhën vendase të palës tjetër, në funksion të nevojave që mund të lindin kohë pas kohe. Në këtë mënyrë marrëveshja i jep mundësi sistemit bankar shqiptar të përdorë fondet Yuan në mbështetje të nevojave të agjentëve ekonomikë për të nxitur më tej marrëdhëniet tregtare dhe financiare midis dy vendeve.
Marrëveshja, krahas nxitjes së tregtisë dypalëshe dhe investimeve direkte për zhvillimin ekonomik, synon edhe mbështetjen e stabilitetit financiar në vend, nëse kushtet e tregut diktojnë nevoja për një likuiditet të tillë.
Nënshkrimi i marrëveshjes është shprehje e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve midis dy bankave qendrore.