Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës, Aldi Rama, autori i vrasjes së efektivit të policisë, Saimir Hoxha.
Pas ngjarjes së rëndë në Lezhë, i riu 21-vjeçar u arratis duke vëne në lëvizje strukturat e policisë dhe pas rreth 5 orësh kërkime ai u vetëplagos me armë dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës.
Ngjarja:
Ditën e djeshme në Kune-Vain, tre policë shkuan për të asgjesuar një parcelë me 110 bimë kanabisi. Në kthim ata u ndeshën me një automjet të ndaluar. Nënkomisari Saimir Hoxha i kërkoi dokumentet 21-vjeçarit Aldi Rama, por ky i fundit refuzoi dhe e qëlloi me plumba në qafë e gjoks.
Polici ndërroi jetë rrugës për në spital, kurse Rama mori automjetin dhe u largua me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën edhe të dy kolegëve të tjerë të Hoxhës.
Ata e qëlluan nga mbrapa duke u çarë një gomë të automjetit dhe ai u detyrua ta braktisë duke u fshehur në një zonë me bimësi për disa orë derisa vendosi të qëllojë veten. Kanë kaluar më pak se 16 orë nga ai moment, por Aldi Rama nuk ia ka dalë dot edhe pas ndërhyrjes mjekësore.