Një gabim i shoferit ose një mosfunksionim teknik i papritur i autobusit janë arsyet e mundshme për aksidentin, ku humbën jetën të paktën 46 persona dhe u plagosën shtatë, tha drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar Bullgar, Borislav Sarafov.
Ai bëri të ditur se në autobusin e djegur ndodheshin 52 pasagjerë, 12 prej të cilëve janë fëmijë.
Nga të dhënat e para mësohet se nuk ka shtetas bullgarë.
Ministri i Brendshëm bullgar Bojko Rashkov, i cili ishte në vendin e ngjarjes me kryeministrin Stefan Janev, tha se shkaku do të sqarohet në detaje gjatë hetimit.
'Ngjarja është e rëndë dhe jo të gjithë mund ta durojnë atë. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Është e vështirë të përcaktohet se sa njerëz ka dhe kush janë ata', tha Rashkov.
'Gardhi mbrojtës në autostradë është shkatërruar nga autobusi dhe ka shumë mundësi që zjarri të ketë ndodhur në kontakt të autobusit me gardhin mbrojtës', tha Rashkov