Policia e Shkodrës ka dhënë informacionin zyrtar para pak minutash për të vrarin Naim Bajri dhe të plagosurin, Astrit Zeneli, punonjësin e tij me të cilin po pinte kafe në momentin e ekzekutimit.
Sipas Policisë:
"Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur "Merkata e Rusit", në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.
Gjithashtu në livadh, në lagjen "Guerrile", Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve."