Biznesi shqiptar kërkon të bëhet pjesë e konsultimeve për reduktimin e pagesës së kalimit në Rrugën e Kombit.
Përmes një shkrese dërguar ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë shpreh shqetësimin se për përcaktimin e tarifave ka patur asnjë konsultim publik. Ndërsa theksohet se ajo do të ketë ndikim jo vetëm në kostot e eksportuesve vendas, por edhe në konkurrueshmërinë me vendet e rajonit.
“Në lidhje me problematikat e ditëve të fundit, të krijuara nga aplikimi i tarifës së koncesionarit për segmentin rrugor Milot-Morinë, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë zhvilloi disa tryeza teknike, ku u shprehën dhe analizuan problemet dhe kostot që shkaktohen nga kjo tarifë për eksportuesit vendas, si dhe ndikimin që do të ketë me konkurrueshmërinë e produkteve me vendet e rajonit. U konstatua dhe dhe deklaruar njëzëri nga të gjithë grupet e interesit, se në lidhje me këtë çështje nuk ka patur konsultim publik”, thuhet ndër të tjera në shkresën që mban datën 12 prill, e cila është siguruar nga TV SCAN, duke shtuar se janë të gatshëm për t’u bërë pjesë e tryezave teknike, për të bërë prezente propozimet dhe qëndrimet e tyre lidhur me këtë problematikë.
Aktualisht, qeveria shqiptare është në negociata me kompaninë koncesionare për reduktimin e tarifës për banorët e Kukësit dhe transportin publik, ndërkohë që shqetësimet e biznesit nuk janë përfshirë në këtë proces. Pagesa e kalimit në rrugën e Kombit për autobusët dhe kamionçinat do të jetë 11.2 euro, për kamionët e mesëm 16.2 euro, ndërsa për kamionët e rëndë 22.5 euro.