Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se CIA nuk ka konstatuar se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman ka urdhëruar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Zyrtarët u thanë mediave amerikane se një operacion i tillë do të kishte nevojë për miratimin e princit, por Arabia Saudite e mohon përfshirjen e tij. Sipas Riadit, Khashoggi u vra gjatë një operacioni të marrjes në pyetje që ka shkuar keq. “Ata nuk e konstatuan”, tha Trump kur u pyet për vlerësimin e CIA-s nga gazetarët në Mar-a-Lago në Florida. “Unë e kam raportin. Ata nuk e konstatuan. Nuk e di nëse dikush do të mund të konstatojë se princi e ka bërë një gjë të tillë”, tha Trump. Ai i bëri komentet ndërkohë që princi saudit i kurorës nisi një turne rajonal në Lindjen e Mesme, duke filluar me Emiratet e Bashkuara Arabe. Është ky udhëtimi i parë i tij që nga vrasja e Khashoggit. Bin Salman po ashtu pritet të marrë pjesë në një takim të G20-ës, grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet në fund të muajit dhe do të ndiqet nga udhëheqës nga SHBA-ja, Turqia dhe një numër vendesh europiane.