Vihet në vend drejtësia. Presidenti amerikan deklaroi se një operacion amerikan kundër-terrorizmit në Afganistan, ka vrarë liderin e Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri.
Biden, i cili ndodhet i izoluar në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi lajmin nga ballkoni.
Ayman al-Zawahiri është vrarë në një sulm me dron që është kryer nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) në kryeqytetin afgan, Kabul, të dielën.
Al-Zawahiri, 71 vjeç ishte në krye të Al-Kaidës pas vrasjes së Osama bin Ladenit nga forcat amerikane në maj të vitit 2011.
"Ai ishte i përfshirë në planifikimin e 11 shtatorit, një nga më përgjegjësët për sulmet që vranë 2977 njerëz në tokën amerikane. Për dekada, ai ishte truri i sulmeve kundër amerikanëve," tha Biden.
Ai veproi dhe si mjeku personal i Bin Ladenit.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja pushtoi Afganistanin në tetor të vitit 2001 dhe rrëzoi qeverinë e atëhershme talebane në Kabul, për ta ndëshkuar atë për strehimin e rrjetit terrorist al-Kaida. Bin Laden dhe al-Zawahiri i shpëtuan operacionit ushtarak ndërkombëtar. Forcat e posaçme amerikane më vonë gjetën dhe vranë bin Ladenin thellë brenda Pakistanit fqinj, në maj të vitit 2011.