Turqia vijon të jetë në ballë të përpjekjeve për të ndërmjetësuar një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë. Gjatë takimit me presidentin rus Vladimir Putin, në Soçi, lideri turk Rexhep Taip Erdogan i ka kërkuar atij të takohet me homologun ukrainas, Volodimir Zelenski në Turqi.
Lajmin e bën të ditur media e pavarur bjelloruse Nexta. Putin u takua me Erdogan për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe energjetik mes dy vendeve. Ky ishte takimi I dytë mes dy presidentëve që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Lajmi vjen ndërsa luftimet në terren vijojnë të ashpra. Një prej reaktorëve të centralit bërthamor të Zaporizhias, nën kontrollin e forcave të Moskës, është fikur, pas bombardimeve të një dite më parë që rrezikuan funksionimin e sigurt të impiantit.
Agjencia bërthamore ukrainase tha më herët se raketat ruse kishin dëmtuar një pjesë të centralit më të madhe të Europës, por se nuk kishte rrjedhje radioaktive.
Moska akuzon Ukrainën për bombardimet. Në një reagim Bashkimi Europian dënoi aktivitet ruse rreth centralit, duke i cilësuar si të papërgjegjshme dhe shkelje të rëndë të rregullave të sigurisë bërthamore.
Sakaq, shefja e degës ukrainase të Amnesty International dha dorëheqjen pasi grupi akuzoi forcat e armatosura ukrainase se po rrezikonin civilët duke i vendosur bazat ushtarake në zonat rezidenciale. Oksana Pokalchuk, reagoi me zemërim në një postim në Facebook, duke thënë se deklarata e organizatës ushqente propagandën ruse