Një aksident tragjik është regjistruar në Gaziantep në Turqi ku një autobus pasagjerësh është përplasur me ambulancën, zjarrfikësen dhe makinën e një prej mediave turke, duke lënë të vdekur 16 persona.
Ambulanca, Zjarrfikësja dhe gazetarët ishin në vendngjarje për një tjetër aksident që kishte ndodhur pak minuta më parë, për këtë arsye mes viktimave janë edhe 3 zjarrfikës, 4 personel mjekësor dhe 2 gazetarë. 22 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar me urgjencë në spital.
Reporteri Said Vakkas, i cili po raportonte për aksidentin në transmetim të drejtpërdrejtë, nuk mundi t'i kontrollonte lotët për humbjen e kolegëve.
"Kemi humbur kolegët tanë me të cilët kemi punuar orë më parë. Është shumë e vështirë të flasësh. Ky vend është si një zonë lufte. Kur mbërritëm, hasëm në një pamje të tmerrshme. Humbëm kolegët tanë”, ka raportuar Vakkas.
Nga ana tjetër, për shkak të aksidentit është mbyllur për qarkullim pjesa e autostradës në drejtim të Nizipit. Zonja e Parë Emine Erdoğan, bashkëshortja e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, shprehu ngushëllimet e saj për familjet e atyre që humbën jetën në aksident.
"Jam thellësisht e pikëlluar për vdekjen e 16 qytetarëve tanë si pasojë e një aksidenti në autostradën Gaziantep-Nizip. Uroj mëshirën e Zotit për qytetarët tanë që humbën jetën, ngushëllimet e mia familjeve të tyre dhe shërim të shpejtë për të lënduarit, thuhet në deklaratë.
Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur të plotë të ngjarjes