Do të ndryshojë Rusia nëse Putin vdes nesër?

Hënë, 29 August 2022 15:30

 

Nga Nick Cohen/

Supozojmë se Vladimir Putin vdes nesër, se në fund të fundit ai do të vdesë një ditë. A do të vendosin elita dhe publiku i ndrydhur rus të braktisin ëndrrat e perandorisë e të betohen se kurrë më nuk do të tërhiqen nga joshja e një autokrati të fortë?

Putin do të lërë pas një vend të sëmurë që duhet të jetë i përgjëruar për ndryshim. Miti se Rusia është një superfuqi ushtarake, çka i intimidonte aq shumë fqinjët, ka rënë përtokë. Sulmi pa shkak i Putinit në Ukrainë bëri që Finlanda e Suedia të hynin në NATO. Agresioni i tij rigjallëroi Perëndimin dhe e nxiti të armatoste Ukrainën me armatime të avancuara. Rusia është më e varfër, më e dobët dhe sheh drejt një të ardhmeje si një shtet klient i Kinës i dënuar t’i bëjë homazhe Mbretërisë së Mesme si dikur perandorisë mongole.

Burime ruse të paverifikuara pretendojnë se Vladimir Putin është sëmurë, vuan ose nga kanceri ose nga Parkinsoni. CIA nuk i beson dhe thotë se diktatori gëzon shëndet të plotë.

 

Por le të supozojmë se ai ikën nesër. Sipas “Historia e Rusisë” nga Orlando Figes, shanset që katastrofa ukrainase ta shtyjë Rusinë drejt liberalizimit pasi Putin të na lërë shëndenë variojnë nga tepër të vogla në joekzistuese. Para se të shkoj më tej duhet të them që ky është nj libër i mrekullueshëm. Figes ka kaluar një jetë të tërë duke studiuar historinë ruse për të dhënë brengën e së kaluarës së saj.

Teksa Stalini rishkruante historinë në vitet ’30, sovjetikët thoshin se “e kaluara ndryshon aq shpesh saqë nuk e dimë se çfarë do të ndodhë dje”. Në

Në shekullin e 21-të është jashtëzakonisht e qartë se aspektet më të këqija të së kaluarës së Rusisë nuk kanë ndryshuar. Nacionalistët perandorakë mund t'i ringjallin gjithmonë. Ata i mitizojnë ato për qëllimet e tyre, sigurisht, dhe i nxjerrin jashtë kontekstit, por në kulturën politike ruse ka gjithmonë mjaftueshëm justifikime për dhunën, keqardhjen për veten, përjashtimin, paranojën, autokracinë dhe luftërat për rritjen e perandorisë.

Merrnin oligarkët e sotëm, të cilët dikur dukeshin liderë në vulgaritetin dhe eksesin modern. Pavarësisht suksesit të tyre në joshjen e bankierëve dhe politikanëve perëndimorë në vitet 2010, ata nuk ishin figura të fuqishme, të pavarura, çka është arsyeja pse sanksionet perëndimore kundër tyre nuk e ndryshuan politikën e Rusisë. Pasuria e tyre varej gjithmonë nga Putini. Që kur ai detyroi Boris Berezovskin të largohej nga vendi më 2000 dhe arrestoi Mikhail Khodorkovskin më 2003, Putin dha një mesazh të qartë. Për sa kohë që interesat e oligarkëve iu nënshtroheshin atyre të regjimit, ai do t’i lejonte t’i gëzonin pasuritë. Nëse do t’i kundërviheshin duke përkrahur politikanë të opozitës apo duke refuzuar të paguanin ryshfetet e kërkuara, ai do t’i shkatërronte.

Pak ka ndryshuar që nga koha kur cari iu tha bujarëve të Moskovit (principata e ruse në shek. 13-16 – Syri) se pasuritë dhe pushteti i tyre vareshin nga humori i tij. Rusia e hershme moderne nuk i zhvilloi kurrë konceptet e pronës private apo të institucioneve të forta politike që mund ta kishin zbutur autokracinë dhe mungesa e tyre ndihet edhe sot.

Figes argumenton – çka është kundërshtuar nga historianët nacionalistë rusë – se dominimi i Moskës nga perandoria mongole nga shekulli i 13-të deri në të 15-tin ndikoi më shumë se çdo faktor tjetër në “krijimin e natyrës bazë të politikës së saj”. Së pari princat e Moskës dhe më pas carët imituan khanët mongolë dhe “kërkuan e zbatuan pa mëshirë nënshtrimin e plotë ndaj vullnetit të tyre nga të gjitha klasat e shoqërisë”.

Në këtë lexim të historisë ruse, komunizmi sovjetik nuk ishte një shkëputje e plotë me të kaluarën. Lideri i fortë komunist ndryshonte nga khani apo cari vetëm në shkallën e ushtrimit të fuqisë dhe Stalini e dinte këtë. Ai kritikoi regjisorin Sergei Eisenstein që e paraqiti Ivanin e Tmerrshëm si të përndjekur nga pasojat e dhunës së tij. “Ky nuk është film, ky është makth”, tha Stalini më 1947. Eisenstein duhej ta kishte kuptuar se problemet me Ivanin nuk vinin për shkak se ai ishte mizor, por sepse ai nuk mjaftueshëm mizor. Një gabim që Stalini nuk e bëri kurrë.

“Kur Ivani ekzekutonte ndonjë, ai kalonte një kohë të gjatë me pendesë e lutje. Në këtë aspekt, Zoti ishte një pengesë për të. Ai duhej të kishte qenë më i pamëshirshëm”.

Sundimi i Putinit e ka përforcuar imazhin e Rusisë si një “despotizëm aziatik” që ishte aq popullor mes liberalëve dhe socialistëve të shekullit të 19-të. (Aleksander Herzen e përshkruante Car Nikolasin si “Xhenxhis Khani me telegram”). Sot Patriarky Kiril bekon krimet e luftës të Putinit në Ukrainë e Siri duke vazhduar një mijëvjeçar nënshtrimi religjioz ndaj shtetit për të cilin ortodoksët besonin se mund ta bënte Moskën “Romën e tretë” me të drejtën e shenjtë për të sunduar mbi gjithë popujt ortodoksë. Nga 800 shenjtët që kisha krijoi midis konvertimit të rusëve në të krishterë në fund të mijëvjeçarit të parë deri në shekullin e 18-të, mbi 100 ishin princa e princesha. “Asnjë vend tjetër në botë nuk ka nxjerrë kaq shumë shenjtorë nga sundimtarët e tij”, thotë Figes. “Askund tjetër nuk është shenjtëruar kaq shumë pushtetit”. Ndoshta një ditë do të shohim kishën të shenjtërojë Shën Vladimirin, shenjtori mbrojtës i bombarduesve.

Eseja e Putinit e vitit 2021 “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve” që i portretizon ukrainasit si “rusë të vegjël” ishte parathënie e luftës. Ajo tregonte se ku të çon kombinimi i nostalgjisë së hidhur për madhështinë imperiale me delirin mesianik. Fëmijët ukrainas nuk kanë asnjë të drejtë t’i ikin Vëllait të Madh, dhe nëse përpiqen duhet të ndëshkohen.

Ndonëse liberalët rusë kanë arsye ta urrejnë mohimin e traditave evropiane, imperialistët rusë gjithmonë e kanë parë perandorinë si një civilizim mbinatyror të përcaktuar nga kundërshtia ndaj Perëndimit liberal e sekular. Përveç periudhave të shkurtra në histori, kjo pikëpamje gjithmonë ka triumfuar.

Në vitet ‘80, kam pasur fatin të kisha mësues Archie Brown, një specialist për Bashkimin Sovjetik. Një ditë ai iu tha studentëve që, edhe në rast se komunizmi do të binte, historia e Rusisë do të bëjë që populli i saj të pranojë një formë të re diktature. Ishim të rinj e idealistë dhe u rebeluam kundër këtij nocioni. A nuk ishte deterministe, pothuajse raciste, të sugjeroje se rusët ishin të programuar për ta refuzuar lirinë? Dekadat që pasuan nuk na kanë dhënë të drejtë.

Edhe Figes e urren këtë ide, teksa nuk ofron asnjë largim të besueshëm prej saj. Nuk mund të mos e mendosh që edhe nëse Vladimir Putin vdes nesër dikush si ai do të marrë pushtetin. “Traditat e të gjithë brezave të vdekur peshojnë si makth në mendjen e të gjallëve”, shkruante Karl Marks. Dhe askund ky makth nuk mund të jetë më madh se sa në atë që dikur ishte shteti i parë marksist në botë./spectator.co.uk/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...