Të hënën në mëngjes, kryetarja e partisë "Vëllezërit e Italisë" - e cila duket se ka fituar zgjedhjet dhe ka mundësinë të bëhet kryeministrja e vendit - shkroi në Twitter: "Ne nuk do ta tradhtojmë besimin tuaj. Ne jemi gati të ngremë përsëri Italinë. Faleminderit!"
Kësisoj, udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare në Itali dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministrja e parë femër në vend.
Në postimin në rrjetet sociale, Meloni është shprehur se me këtë fitore të së djathtës, në Itali është shkruar historia. Ajo ia ka dedikuar fitoren militantëve të partisë dhe atyre të cilët e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj.
Meloni, më herët, iu tha gazetarëve: "Nëse ne jemi thirrur për të qeverisur këtë komb, do ta bëjmë këtë për të gjithë italianët, me synimin për të bashkuar popullin. Kjo është koha për të qenë të përgjegjëshëm."
Koalicioni i qendrës së djathtë ka marrë deri më tani 44% të votave, teksa partia e Melonit, Vëllezërit e Italisë ka 26% të votave, shkruan La Repubblica. Nga ana tjetër, koalicioni i majtë është votuar në masën 27%.