Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur solidaritet me Malin e Zi, në kohën kur ky shtet po ndërmerr masa dhe operacione për të ndaluar ndikimin e Rusisë.
Mali i Zi së fundmi ka arrestuar persona që dyshohet se janë të përfshirë në spiunazh për interesa të Rusisë, njofton REL.
“Ballkani Perëndimor është me interes strategjik për Aleancën tonë dhe ne mbetemi vigjilentë”, shtoi shefi i NATO-s.
NATO dhe Bashkimi Evropian disa herë kanë tërhequr vërejtjen për veprimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Sipas këtyre dy institucioneve, Moska synon të destabilizojë këtë rajon. Kjo, sipas burimeve në BE dhe NATO, shpesh është bërë përmes përhapjes së dezinformatave, lajmeve të rreme dhe përmes veprimeve ilegale të spiunazhit.
Mali i Zi, shtet anëtar i NATO-s, në fund të shtatorit ua ndaloi hyrjen dhe qëndrimin në shtet dhjetëra shtetasve të huaj, nën dyshimet se kanë punuar për shërbime të huaja.
Po ashtu, gjashtë diplomatë rusë, të akredituar në Podgoricë, janë shpallur persona të padëshiruar për shkak të “veprimtarive që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhënie diplomatike”. Dëbimi i diplomatëve rusë u lidh me një aksion të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi dhe Prokurorisë Speciale për hetimin e lidhjeve të dyshuara midis disa shtetasve malazezë dhe rusë me shërbimet e inteligjencës së Federatës Ruse.