Recesioni do të ishte i tmerrshëm për vendet që ende nuk janë rimëkëmbur nga COVID-19, shkruan The Economist
Në gusht, prodhimi global u tkurr në krahasim me një muaj më parë dhe porositë e reja ranë për të dytin muaj radhazi, sipas bankës JPMorgan Chase.
Vitin e kaluar, industria u zhvillua jashtë mase. Konsumatorët, pasi kishin marrë ndihma bujare financiare për COVID-19, rritën shpenzimet për mallra dhe lehtësimi i masave të distancimit social, i lejoi fabrikat të mbulonin terrenin e humbur.
Vlera e prodhimit global u rrit në më shumë se 16 trilionë dollarë, duke përfaqësuar pjesën më të lartë të PBB-së në gati dy dekada.
Industria e vrullshme solli një vit të begatë për ekonominë botërore dhe prodhimi i përgjithshëm global u rrit me 6.1%, ritmi më i shpejtë në histori, pavarësisht problemeve me zinxhirin e furnizimit.
Zbutja e kërkesës ishte e pashmangshme, pasi jeta u bë më normale dhe shpenzimet u kthyen nga mallrat drejt shërbimeve.
Por edhe aktiviteti i sektorit të shërbimeve duket zhgënjyes kohët e fundit dhe problemet e prodhimit reflektojnë goditje shumë më të mëdha.
Më e rënda është kriza e çmimit të energjisë, e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Prodhimi industrial në Eurozonë ra me 2.4% në korrik, në krahasim me një vit më parë.
Kompanive u është dashur të operojnë me kosto të rritura të energjisë që e bëjnë prodhimin joekonomik. Një dimër i ftohtë do të sillte edhe më shumë dhimbje.
Një problem është edhe ekonomia e rrënuar kineze. Prodhuesit që po vuanin nga politikat “zero-COVID” dhe rënia e tregut të pronave, u goditën nga një tronditje shtesë gjatë verës, pasi thatësirat e mëdha penguan transportin dhe ulën prodhimin e hidrocentraleve.
Të dhënat nga gazeta ekonomike “Caixin”, tregojnë se shitjet e prodhimit kinez u tkurrën në gusht, krahasuar me muajin e kaluar.
Ecuria e ekonomive që zakonisht eksportojnë shumë mallra dhe komponentë në Kinë, tregon gjithashtu se do të vijnë telashe. Për shembull, prodhimi i Koresë së Jugut ra gjatë verës, dhe po ashtu edhe eksportet e saj në Kinë.
Zvarritja nga kostot e larta të energjisë dhe nga çalimi i ekonomisë kineze, është theksuar edhe nga shtrëngimi i politikës monetare. Kërkesa në rritje për mallra në dy vitet e fundit, mbingarkoi kapacitetin e fabrikave, anijeve dhe porteve, duke e rritur inflacionin.
Çmimet e larta po vazhdojnë – pjesërisht falë tronditjes nga lufta në Ukrainë – për këtë arsye, bankat qendrore po ndërmarrin veprime agresive.
Një shtrëngim i tillë në kaq shumë drejtime ka ndodhur rrallë në gjysmëshekullin e fundit, vëren Banka Botërore, dhe i ngjan situatës që shkaktoi një recesion global në vitin 1982.
Tani për tani, prodhuesit në Indi dhe në Azinë Juglindore u kanë bërë ballë erërave globale. Kjo mund të jetë pasojë e përpjekjeve për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit larg Kinës.
Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2022, eksportet e mallrave të Kinës në Amerikë, u rritën me 18% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, eksportet nga India u rritën me 30%, ndërsa ato nga Vietnami, me 33%, nga Indonezia me 41% dhe nga Bangladeshi, me 50%.
Sidoqoftë, pasuritë e tyre janë të lidhura me ekonominë botërore në tërësi; dhe nëse ajo vazhdon të dobësohet, edhe vendet relativisht të izoluara do ta kenë të vështirë të shmangin rënien.
Recesioni global nuk është plotësisht i sigurt. Prodhimi u ul në vitet 2015-‘16 dhe në 2019, por në të dyja rastet, ekonomia e shmangu rënien. Megjithatë, në këto periudha, politika ndryshoi në mënyrë drastike për të parandaluar dobësimin.
Në mesin e dekadës, Rezerva Federale rriti normat e interesit shumë më ngadalë nga sa prisnin tregjet dhe Kina ofroi shumë stimuj ekonomikë.
Në vitin 2019, Rezerva Federale nisi uljen e normave, edhe pse plani tatimor i presidentit Donald Trump rriti deficitet amerikane, duke forcuar ekonominë botërore.
Nuk ka shumë shpresë për ndryshime të ngjashme. Kina tani po ndjek politikat e saj zero-COVID, që do të thotë se një stimul i ri nuk do të nxiste shumë rritjen.
Kohët e fundit, zyrtarët e Rezervës Federale thanë se tregjet duhet të presin që normat e interesit në Amerikë të rriten dhe të qëndrojnë ashtu për më gjatë, edhe nëse kjo gjë e shtyn ekonominë drejt recesionit.
Në të vërtetë, për sa kohë që shpenzimet e konsumatorëve amerikanë mbeten të fuqishme, Rezerva Federale ndoshta do të mendojë se puna e saj për luftimin e inflacionit nuk ka përfunduar.
Është e sigurt se kushtet do të përkeqësohen përpara se të përmirësohen. Por sa më keq?
Banka Botërore ka paraqitur tre skenarë për vitin e ardhshëm.
Skenari bazë është ai që përputhet me perspektivën aktuale të konsensusit për rritjen, rreth 1.5% për person, por që ndoshta nuk është në përputhje me rënien e inflacionit të dëshiruar nga bankat qendrore – dhe si rrjedhim, është një skenar tepër optimist.
Në skenarin e dytë të “rënies së mprehtë”, bankat qendrore duhet të punojnë më shumë për të ndalur inflacionin, por nuk do të arrijnë të rivendosin stabilitetin e çmimeve dhe rritja do të ngadalësohet në 0.8% për person.
Ndërsa sipas skenarit të tretë, shtrëngimi sinkron monetar do të shkaktojë recesion dhe prodhimi global do të tkurret me rreth 0.4% për person.
Dy skenarët e fundit do të ishin jashtëzakonisht të hidhur për vendet që ende po rimëkëmben nga rënia e shkaktuar nga COVID-19.
Ngarkesat e borxhit në mbarë botën mbeten jashtëzakonisht të larta dhe ekonomitë e shumë vendeve nuk kanë arritur ende nivelin parapandemik. Udhëheqësit e tyre do ta ndjekin ngadalësimin e prodhimit global me një frikë të madhe. Përktheu: Lira Muça./ MONITOR