Papa Françesku nderoi Kardinalin shqiptar Ernest Simon Troshani, “Martirin e gjallë”.
Në fund të Audiencës së Përgjithshme të kësaj jave, Papa Françesku la mënjanë fjalët e tij të përgatitura dhe i ofroi një përshëndetje të gjatë, pa shkrim, një prej vizitorëve të tij, raporton “Vaticannews”.
Në delegacionin që shoqëronte Kardinalin Troshani merrte pjesë edhe Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë Z. Tom Doshi.
Fjalët e Papës
Papa Françesku e filloi nderimin e tij për kardinalin Simoni duke iu referuar shumë martirëve të krishterë të varrosur përreth tyre në Vatikan.
“Të gjithë ne kemi lexuar, kemi dëgjuar, historitë e martirëve të hershëm të Kishës”, tha ai. “Edhe këtu, ku është Vatikani tani, ka një varrezë dhe shumë janë ekzekutuar këtu”.
“Por, edhe sot”, theksoi Papa, “ka shumë martirë në mbarë botën: shumë, ndoshta më shumë se në fillim. Ka shumë të persekutuar për besimin e tyre”.
Më pas ai prezantoi kardinalin Simoni, duke vënë në dukje se ai “jetoi 28 vjet burg” si rezultat i persekutimit komunist të Kishës në Shqipëri, i cili, tha ai, ishte “ndoshta më mizori” i këtij lloji.
Kardinali Simoni “vazhdon të dëshmojë”, theksoi Papa. “Ai është tani 95 vjeç dhe vazhdon të punojë për Kishën pa u dekurajuar”.
Pas lirimit nga burgu në vitet 1990, Kardinali Simoni i fali rojtarët e tij dhe rifilloi shërbimin e tij si prift, me një fokus të veçantë në promovimin e pajtimit në Shqipërinë postkomuniste.
“I dashur vëlla”, përfundoi Papa Françesku, “të falënderoj për dëshminë tënde”.