Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e emërimit të Richard Grenell, ish-shefit të tij të inteligjencës, si të dërguar special për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ky zhvillim është raportuar nga agjencia e lajmeve Reuters duke cituar burime të brendshme.
Grenell, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, mund të luajë një rol kyç në përpjekjet për ndalimin e luftës, nëse emërohet zyrtarisht në këtë detyrë.
Aktualisht, nuk ka një të dërguar special për zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, por republikani po konsideron krijimin e këtij posti, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Gjatë fushatës së tij, 78-vjeçari është zotuar se do t’i japë fund luftës “shpejt”, ndonëse nuk ka dhënë detaje konkrete për mënyrën se si do të arrijë këtë qëllim.