Elon Musk ka lënë të kuptohet se mund të blejë MSNBC-në, rrjetin televiziv të majtë, një lëvizje që mund të sjellë një riorientim dramatik të peizazhit politik të lajmeve.
Sipërmarrësi miliarder i teknologjisë, i cili ka kritikuar mediat e "majta", hodhi idenë në rrjetin e tij social, X, duke pyetur në mënyrë shakaje se sa do të kushtonte.
Duke cituar një postim nga një llogari që pretendonte se rrjeti ishte nxjerrë në shitje nga Comcast, sepse "gënjimi pa pushim ndaj audiencës është një model biznesi i keq," Donald Trump Jr i bëri "tag" Musk-ut dhe shkroi: "Ej, Elon Musk, kam një ide shumë argëtuese!!!"
Si përgjigje, Musk shkroi: "Sa kushton?" Në një postim vijues ai shtoi: "Rezultati më argëtues, sidomos nëse është ironik, është më i mundshmi," duke përdorur një emoji që qesh me lot.
Blerja e Twitter-it nga Musk, të cilit i ndryshoi emrin në X, ndryshoi peizazhin e kësaj platforme rrjetesh sociale.
Si një nga veprimet e para, ai i riktheu llogarinë Donald Trump-it.
Kanalet në shënjestër të Trump-it
Në javët e fundit, Bluesky, një platformë alternative e rrjeteve sociale, ka tërhequr përdoruesit liberalë nga X.
MSNBC, së bashku me një sërë kanalesh të tjera, janë tashmë në shënjestrën e Trump-it, i cili ka kërcënuar të detyrojë Komisionin Federal të Komunikimeve për të revokuar licencat e tyre.
Në muajt e fundit, ai gjithashtu njoftoi se do padiste CBS-në për 10 miliardë dollarë, duke pretenduar se montazhi i një interviste të "60 Minutes" me Kamala Harrisin përbënte ndërhyrje në zgjedhje, diçka që kanali e ka mohuar.
Vitit të kaluar, ai akuzoi MSNBC-në për "ndërhyrje në zgjedhje," të cilën e krahasoi me një "atentat 24-orësh."
Kanali është një nga të paktën 20 organizata lajmesh që Trump ka paditur për mbivlerësimin e humbjeve të pësuara nga rrjeti i tij, Truth Social.
Më herët këtë javë, gjiganti i transmetimeve Comcast njoftoi plane për të ndarë një sërë kanalesh të tij, përfshirë MSNBC-në dhe CNBC-në.
Ndërkohë që ndarja e kompanive të transmetimit nuk do të kërkonte miratimin e FCC-së, do të kishte ende disa pengesa rregullatore për çdo kompani që të marrë përsipër transmetuesit.
'Bomba' transmetuese
"Janë vetëm dy entitete mediatike që Donald Trump i urren më shumë se CNN-in. Njëra është MSNBC-ja dhe tjetri është NBC-ja," tha për CNN Craig Moffett, një veteran i mediave dhe themelues i analistëve të mediave MoffettNathanson.
Trump ka thënë tashmë se do të forcojë kontrollin politik të FCC-së.
Sugjerimi i Musk-ut për të blerë MSNBC-në u përshkrua si "një bombë në peizazhin e transmetimit" nga Thomas Whalen, profesor i asociuar i shkencave sociale në Universitetin e Bostonit.
"Mendoj për mënyrën se si Vladimir Putin dhe oligarkët kanë blerë mediat e lira në Rusi," i tha ai gazetës "The Telegraph".
"MSNBC-ja është ende një rrjet që ofron kritikë të vërtetë ndaj Trump-it dhe politikave të tij. CNN tani luan në të dyja anët, drejt qendrës.
"Lëvizja e Musk-ut duket si një blerje e armiqësore dhe është shenjë e keqe për mediat në të ardhmen."