Niveli i ndotjes në Tiranë është në nivele alarmante. Laboratori prestigjioz italian shpjegoi për emisionin “Piranjat” se në kryeqytet ka përqendrim tejet të lartë të dioksidit të azotit dhe benzenit, deri në katërfishin e vlerës mesatare evropiane. Sipas ekspertëve, këto substanca janë kancerogjene dhe shkaktojnë dëme serioze në shëndet
SYRI TV
Prej vitesh, niveli i ndotjes së ajrit është një nga problematikat më serioze të Tiranës. Treguesit e vitit të kaluar nxorën në pah se ndotja ishte përtej normës së lejuar nga Bashkimi Evropian, ku faktorë kryesorë ishin mjetet motorike dhe sektori i ndërtimit.
Nisur nga këta tregues aspak normal, emisioni ‘Piranjat’ ka kontaktuar laboratorin e specializuar ‘Neotes’, në Salerno të Italisë, për të mundësuar matjen e nivelit të ndotjes në Tiranë.
Ekspertët italianë instaluan aparaturat e matjes në 20 pika të ndryshme në të gjithë kryeqytetin. Përkatësisht në ‘Unazën e Re’, pas 15-katëshit, tek ish-Stacioni i Trenit, tek ura e Drejtorisë së Policisë, tek Brryli, pranë ‘Gardës’, tek rruga ‘Don Bosko’, tek Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës, Kopshti Botanik, Tregu Industrial ‘5 maji’, Astir, 9-katëshet, Kombinat, Katedralja Katolike.
20 pajisje “Radielo” të teknologjisë së lartë u lanë në ambient të hapur për 8 ditë nga data 28 mars 2023 deri më 5 prill 2023. Ekspertët italianë, pas verifikimeve dhe analizave, shpjeguan për ‘Piranjat’ se rezultati është ALARMUES!
Raporti i detajuar i laboratorit italian tregon për një përqendrim në vlera të larta e të paktën dy komponentëve, dioksidi i azotit dhe benzeni. Matjet tregojnë se jemi me katërfishin e vlerës mesatare evropiane.
Madje në disa zona, ndotja me benzen është e frikshme, gjë që e pohojnë edhe ekspertët italianë. Zonat me ndotjen më të lartë nga benzeni rezultojnë rruga Arkitekt Kasemi, te Brryli me 101 mikrogram për metër kub dhe rruga Gjergj Legisi – Blloku Gintash, me një përqendrim prej 84.1 mikrogram për metër kub nga 5 mikrogramë që është mesatarja evropiane.
Por përveç trafikut, çfarë shkaku tjetër mund të ketë?
Por çfarë nënkupton për shëndetin tonë një nivel kaq i lartë ndotje në kryeqytet?
Efekti kryesor i një ekspozimi kronik ndaj benzenit është dëmtimi i indeve kockore dhe pakësimit të qelizave të palcës kockore. Çfarë mund të çojë në ulje të ndjeshme te rruazave të kuqe të gjakut, deri në Leucemi. Këto rezultate janë një kambanë alarmi së pari për shoqërinë, dhe së dyti për autoritetet që reklamojnë një Tiranë ndryshe nga ajo në të cilën po jetojmë përditë.