VOA
Protestues opozitarë hodhën sot përsëri lëndë shpërthyese drejt bashkisë së Tiranës, duke kërkuar largimin e kryebashkiakut Erjon Veliaj nga detyra.
Duke sfiduar edhe temperaturat e larta të klimës, ata u mblodhën në protestën e tyre të 13-të dhe goditën bashkinë me shishe molotovë, ndërsa mbanin parrulla, ku kërkohej që kryebashkiaku Veliaj të dalë para drejtësisë lidhur me korrupsionin në bashki.
Disa ish drejtorë bashkiakë, bashkëpunëtorët e afërt të tij, janë arrestuar nga SPAK-u nën dyshimet për afera korruptive, ndërsa protestuesit e cilësojnë edhe zotin Veliaj si të përzjerë në korrupsionin e vartësve.
Zoti Veliaj i ka hedhur poshtë akuzat e opozitarëve, dhe ka deklaruar se kushdo mban përgjegjësi personale para drejtësisë.
Ai ka theksuar në një mesazh publik se nuk ka nënshkruar asnjë dokument, që të ketë shkaktuar shpërdorim të fondeve publike.
SPAK-u është duke vijuar hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe për aferat me kompaninë 5D, ku dyshohet se janë përfshirë ish drejtorët dhe punonjës të agjencive pranë bashkisë.