Shefi i Organizimit të Partisë Demokratike në Tiranë, Klevis Balliu, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike gjatë një interviste me moderatorin Edvin Parruca. Ai vlerësoi protestën e opozitës si një dëshmi e qartë e fuqisë dhe unitetit të saj.
Sipas Balliut, kjo protestë tregoi se, pavarësisht paragjykimeve dhe presioneve, qytetarët janë gati të sakrifikojnë për ndryshim. Ai theksoi se opozita ka një program të qartë për të adresuar krizën ekonomike dhe për të kthyer normalitetin demokratik në vend.
Në deklaratën e tij, Balliu u ndal edhe te sfidat që mbeten përpara, duke premtuar një përballje të vendosur me pushtetin aktual dhe sistemin e tij të deformuar.
'Sa i përket protestës, edhe një herë opozita vërtetoi se sot është opozitë absolute.
I gjithë pushteti mendonte se ajo protestë ishte e pamundur. Madje, edhe analistët “e pavarur” pranë qeverisë mendonin se do të ishte një protestë e dështuar. Por, në fakt, ndodhi e kundërta. Falë sakrificës së mijëra qytetarëve, ne arritëm t’i dëshmonim edhe një herë Edi Ramës dhe çdo individi që kishte pikëpyetje se “tallavaja” mbaroi.Tani jemi drejt një finalizimi të aksionit opozitar.
Liria e liderit të opozitës, pa asnjë dyshim, i jep frymë dhe forcë këtij procesi. Ishte një ditë e mirë për çdo qytetar që dëshiron demokracinë dhe një ditë e zezë për çdo trafikant, për çdo “narkopushtetar”, dhe për narkoshtetin në tërësi.
Nga këtej e tutje, na pret një përballje epike me një opozitë tashmë më të bashkuar, më të fortë dhe tejet të qartë. Përveç përballjes me pushtetin, opozita ka në programin e saj edhe zgjidhjet që do ta nxjerrin vendin nga gjendja ekonomike katastrofike ku është zhytur prej Edi Ramës.Ekonomia është padyshim bërthama e programit të Partisë Demokratike, sepse problemi kryesor i Shqipërisë sot është rënia e ekonomisë për qytetarët e thjeshtë, ndërsa xhepat e pushtetarëve janë fryer dhe stërfryer.
Ne jetojmë në një shtet anormal, ku mungojnë bazat e demokracisë, përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndërkohë që në vende si Gjermania, Franca apo Italia kërkojmë standarde të larta, këtu zgjedhjet organizohen si në kohën e Sadamit.Zgjedhjet duhet të jenë elektronike, me postë ose pa postë, por nëse qendrat e votimit dhe kryetarët e shtabeve janë në duart e grupeve kriminale si Bajrat në Shkodër apo Avdylajt në Durrës, atëherë nuk mund të quhen zgjedhje të lira. Sado teknologjike të jenë, ato mbeten të deformuara dhe të manipuluara.'- u shpreh Balliu.