Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendimet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët e para të mëngjesit të së shtunës ka qenë edhe angazhimi i FSK-së në patrullime dhe vëzhgim të pikave të infrastrukturës kritike në lokalitete të ndryshme në Kosovës.
Kurti ka treguar se patrulla të FSK-së janë vendosur në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë.
“Ndër vendimet e dala nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë, që e mbajtëm në orët e para të mëngjesit ishte angazhimi i FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile përmes detyrave të patrullimeve dhe vëzhgimit të pikave të infrastrukturës kritike në lokalitete të ndryshme në Kosovë”.
“Pas vizitës në Varagë të Zubin Potokut, kësaj radhe me ministrin e Mbrojtjes, Maqedonci ishim në pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë. Jemi të përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Kurti.