Autori i vrasjes në Ndroq dyshohet se është një person i quajtur Julian Gjoshi. Ai ka hyrë në një lokal, ka parë viktimen, Alfred Dedja, i është afruar dhe e ka qëlluar për vdekje me pistoletë.
Më pas, Gjoshi është larguar me një ML në drejtim të paditur. Policia po e kërkon, ndërkohë që ende nuk ka një motiv për vrasjen.
Julian Gjoshi nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2021 ai është arrestuar i dehur në timon. Nga kontrolli që iu bë mjetit u gjet një pistoletë, që shihet në foton më poshtë:
Kur iu vunë prangat, bashkë me të ishte një person tjetër pasagjer që u la i lirë. Në atë kohë, Julian Gjoshi ishte 23-vjeç dhe u arrestua nga forcat “Shqiponja” në Tiranë duke lëvizur në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Arrestimi në Tiranë vuri në lëvizje miqtë dhe të afërmit e 23 vjeçarit nga Shijaku.
Kunati i tij ishte Altin Hajri, një person me ndikim në zonën e Shijakut, me lidhje të forta politike. Një bisedë e zbardhur në SKY ECC mes Altin Hajrit dhe ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja tregon pikërisht ndërhyrjen për ta liruar nga burgu Julian Gjoshin.
Për 23-vjeçarin çapkën që sot i mori jetën Alfred Dedjas në Ndroq, Altin Hajri i shkruante Jurgis Çyrbjes të bënte diçka me njohjet që kishte.
Një variant që ia sugjeroi Hajri ishte të ndërhyhej tek pistoleta, të çmontohej, t’i hiqej një mekanizëm apo të bëhej një manipulim nga policia.
“…kan kap kunotin tim me pistoletë… Mos bëjmë naj gjë. Është kunati me gjith atë “bolin” që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një dali nji, shif naj “arrest shpia”. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën (Pistoletën)…”.
Më pas, Hajri ofrohet i gatshëm të paguajë akoma më shumë për Jurgis Çyrbjen dhe miqtë e tij në prokurori, mes të cilëve veçon dikë të quajtur “Olsi”.
Më tej Altin Hajri, vijon t’i shkruajë Jurgis Çyrbes duke i thënë:
“…se arma qeka veç për gishtat…se po se marove ti s’kam kujt me i thën, me veç prish gjëlponën. Kërkoje vëlla, sa lek të dojn veç du t’ja maroj se më mytën kalamajt daja…. Jepi 20 mijë euro sa dojn ai, veç ta mbarojë…. Më 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëj Mikut tat Olsit…”.
Në masën e sigurisë për Julian Gjoshin, gjykata vendosi 21 ditë burg, megjithëse ai ishte kapur me një armë luftarake në makinë. Argumentimi i gjykatësit ishte se nuk kishte dalë ende rezultati i aktit të ekspertimit balistik të pistoletës së sekuestruar nga policia.
Kjo vonesë në aktin e ekspertimit duket se krijonte kushtet e duhura që gjyqi për Julian Gjoshin të zhvillohej ndërkohë që ai ishte i lirë. Për rrjeedhojë, Altin Hajri i shkruante Jurgis Çyrbes në SKY ECC falenderimet e rastit për ata që kishin bërë të mundur kthimin e kunatit të tij, Julian Gjoshi në shtëpi.
Në veçanti falenderimi shkonte për një prokuror me emrin Olsi, të cilit Hajri i la porosi deputetit të Partisë Socialiste Jurgis Çyrbjes t’i merrte masat me qëllim qepjen e disa kostumeve dhuratë.
“…Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…”-i shkruan Jurgis Çyrbes, personi në kërkim Altin Hajri.
Ndër të tjera personi në kërkim Hajri i shkruan, Jurgis Çyrbjas, si më poshtë vijon:
“…ma kanë dhonë fjalën, veç po presin një letër porosi dhe jam “ok” vëlla. Ka mundësi ai se është burri mirë ky tani, që është Ministër vlla. E ka shum shok me than shife vet aman, se më prishin shumë punë, se po i rregulloj ishalla këtë muaj që vjen. Dhe Ols, e ka bo punën e vet vëlla, thuaj faleminderit shum thuj…. Mos harro se e ka bo punën e vet se i kishte thonë avokatit, është porosia shefit. Për Ols vëlla, plus ka qën ke avokati vet 2 herë, e ka bo punën e vetë. A kupton ça po të them. Për atë mikun tat që pate shku ti po të them takoje, thuj falemindërit dhe më bjerë masat t’i boj nja dy kustume që t’ja çosh. Po për zotin është porosia shefit, kishte thënë avokati i kishte thon dum avokat po për zotin e mall e ka bë të vetën. Më tha avokati, e ka bo si burrat ai tha se ai nuk përzihet tha, se avokati e ka robin e vet ai, rrofsh vëlla. Shif aman të bojnë ca ndryshime këtu ke lagja dhe ja dy vene tjera që ti marim 100 për 100. Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…”.
Duket se falenderimet e Altin Hajrit dhe përgatitjet për të shpërndarë dhurata ishin të parakohshme. Brenda 21 ditëve në gjykatë shkoi akt-ekspertiza e armës që iu kap Julian Gjoshit dhe ajo rezultoi e rregullt.
Çyrbja dhe “Olsi” nuk arritën ta ndihmojnë dot kunatin e Altin Hajrit, i cili arriti ta lehtësojë dënimin e kunatit duke përfituar nga “bujaria” e gjykatëses Shefkie Demiraj.
Në sallën e gjyqit, prokurori kërkoi dënimin me 4 vite burg për Julian Gjoshin, por gjykatësja (sot e pezulluar nga vetingu), Shefkie Demiraj e konvertoi kohën e vuajtjes me 3 vjet shërbim prove dhe Julian Gjoshi doli nga burgu.
Në 23 dhjetor duhej të mbaronte dënimi alternativ me shërbim prove, por duket se Gjoshi nuk ka duarar të mbarojë afati dhe është përfshirë në një krim tjetër të rëndë siç është vrasja e Alfred Dedjas.