Sali Berisha ka mbajtur paraditen e kësaj të shtune një aktivitet në ambientet e një hoteli, ku ka shpalosur programin e qeverisjes së PD-së 2025-2029 për shëndetësinë, nëse arrijnë fitoren më 11 Maj. Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se nëse ai vjen në pushtet, spitalin Onkologjik do ta ndajë nga QSUT, pasi sipas tij, është konstatuar se QSUT i ka vjedhur dhe shkatërruar pacientët me sëmundje tumuriale. Lideri demokrat tha se do krijohet Instituti i Tumoreve, i cili do të jetë me buxhet të pavarur, duke premtuar se të gjitha ilaçet që përdoren në Europë për kurimin e kancerit, do të përdoren edhe në Shqipëri. Ndër të tjera, Berisha premtoi dhe se do të ndërpresë marrëdhëniet korruptive midis sektorit publik dhe sektorit privat në shëndetësi. Ai tha se sektori privat do klasifikohet në non-profit dhe profit dhe se sektori publik do mbajë lidhje vetëm me sektorin privat non-profit. Sali Berisha: Një problem serioz sot është marrëdhënia e sektorit publik me sektorin privat. Nuk jemi ne kundër sektorit privat, por në mënyrë absolute do presim me gërshërët e ligjit të gjitha marrëdhëniet korruptive midis sektorit publik dhe sektorit privat. Në qoftë se unë e diagnostikoj të sëmurin dhe i them do të mjekoj në privat, kjo nuk do ndodhë kurrë. Sektori privat do klasifikohet non-profit dhe profit, sektori publik do mbajë lidhje me sektorin privat non-profit. Ata që janë non-profit dhe do jenë në marrëdhënie me sektorin publik, ata do ndjekin rregullat e këtyre marrëdhënieve. Shteti është i gatshëm të trajtojë atë sektor me përparësi.